E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula e re e përllogaritjes së masës së bonusit të strehimit

Ministri Olldashi dërgon udhëzim të ri në të gjitha bashkitë e vendit. Përcaktohen kritere më të ashpra për monitorimin e familjeve që do ta përfitojnë

Laureta Rryçi

Tiranë - Bashkitë do të zbatojë rregulla të reja për të përcaktuar familjet që duhet të përfitojnë bonus strehimi. Ky ndryshim, falë udhëzimit të fundit që mban firmën e ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. Udhëzimi përcakton formulë të re përllogaritjeje të masës së bonusit të strehimit dhe kritere edhe më të ashpra për monitorimin e familjeve që do ta përfitojnë atë. Udhëzimi u është shpërndarë të gjitha bashkive në vend dhe ka nisur efektet e zbatimit të tij. Gazeta “Albania” ka mundur ta sigurojë udhëzimin e ri dhe po e boton atë të plotë në numrin e sotëm. Në të janë parashikuar edhe rastet kur familjeve përfituese do t’u ndërpritet përfitimi.
Bonusi i strehimit
Sipas udhëzimit të ri, bonusi i strehimit u jepet me vendim të Këshillit Bashkiak familjeve që kanë paraqitur pranë zyrave përkatëse në Bashki kërkesën për strehim në një nga format që parashikon ligji dhe kanë fituar pikët maksimale sipas sistemit të pikëzimit që miratohet në këtë program. Bonusi i strehimit përdoret vetëm për pagesën e qirasë. Bonusi i strehimit, si rregull, zbatohet në ato objekte banimi për të cilat ka marrëveshje paraprake midis pronarit dhe entit menaxhues, apo strukturës vendore të ngritur për menaxhimin e banesave sociale me qira. Për vitin e parë të zbatimit të këtij programi dhe deri në identifikimin e banesave në treg që mund të përdoren për bonos strehimi, këshillat bashkiakë do të miratojnë dhënien e bonusit për një objekt për të cilin nuk është lidhur marrëveshja si më sipër.
Kërkesa
Kërkuesi i bonusit paraqet kërkesën pranë zyrave përkatëse në bashki për bonos strehimi, bashkë me informacionin e nevojshëm mbi vendndodhjen e banesës ku ai kërkon të strehohet ose ku është i strehuar, masën e qirasë për të cilën ka nënshkruar ose do të nënshkruajë kontratën me pronarin e banesës dhe të ardhurat mujore familjare. Kur banesa ku do të strehohet ose është strehuar familja që pretendon bonusin e strehimit është gjetur nga vetë familja, zyrat përkatëse në bashki bëjnë verifikimin në vend të ekzistencës së banesës, kushteve të banimit dhe qirasë që ofron pronari. Pas miratimit nga Këshilli Bashkiak, përfituesve u lihen tre muaj kohë për të gjetur banesën në treg. Kontrata e qiradhënësit lidhet mes pronarit të banesës dhe përfituesit të bonusit, sipas procedurave të Kodit Civil.
Afati
Afati i lidhjes së kontratës së qirasë nuk mund të jetë më i shkurtër se një vit, përveç rasteve kur kjo është përcaktuar që më parë nga palët. Familja që ka përcaktuar bonusin e strehimit mund të dalë nga kjo skemë pas një viti, nëse vërtetohet që ajo ka zgjidhur problemin e strehimit, ose nëse të ardhurat e familjes janë rritur aq sa për të përballuar pagesën e qirasë pa nevojën e bonusit. Për familjet që në përbërjen e tyre kanë një person me aftësi të kufizuar, apo një person me sëmundje kronike, si dhe për raste të tjera të ngjashme, Këshilli Bashkiak mund të miratojë një nivel më të lartë të ardhurash se ai i përcaktuar në varësi të kësaj formulës së re. Për llogaritjen e masës së bonusit, zyrat përkatëse në Bashki u referohen nivelit të të ardhurave mujore, të familjes dhe qirasë për të cilën është lidhur kontrata.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›