Pagesa e bonusit të strehimit
Këshilli Bashkiak mund të miratojë një nivel më të lartë të bonusit të strehimit kur projekti zbatohet me të ardhurat e Bashkisë. Shuma mujore e bonusit të strehimit, si rregull, i xhirohen qiradhënësit në llogarinë e tij bankare. Kryetari i Bashkisë mund të zgjedhë një formë tjetër për realizimin e pagesave të bonusit, si p.sh. nëpërmjet postës ose zyrave që shpërndajnë ndihmën ekonomike. Në fillim të çdo viti apo sa herë që bashkitë fillojnë zbatimin e një programi të ri për dhënie bonusi për strehim, bëjnë njoftim publik për familje që kanë paraqitur kërkesat pranë zyrave vendore. Familjet, të cilat kanë aplikuar për një program tjetër strehimi, nëse kërkojnë të strehohen nëpërmjet bonusit, paraqesin kërkesë me shkrim në zyrat përkatëse në bashki. Për çdo program të ri bonusi që fillon, zyrat përkatëse në Bashki llogarisin buxhetin duke mbajtur parasysh shumën totale të bonusit të mbartur nga viti i mëparshëm për familjet që janë futur në skemë, të cilat do të qëndrojnë edhe në vitin në vijim, plus buxhetin e nevojshëm për trajtimin e familjeve të reja. Me qëllim rinovimin e të drejtës së përfitimit të bonusit të strehimit për vitin pasardhës brenda një periudhe të përshtatshme përpara hartimit dhe miratimit të buxhetit vendor nga Këshilli Bashkiak, zyrat përkatëse në bashki bëjnë verifikimin e nivelit të të ardhurave të familjeve që kanë përfituar bonus strehimi. Verifikimi i nivelit të të ardhurave bëhet nga administratorët shoqërorë të zyrave të ndihmës ekonomike.
Verifikimi për bonusin e strehimit
Zyrat përkatëse në bashki, me disponimin e informacionit që vërteton njëri prej tri rasteve që është përcaktuar në këtë udhëzim, bën verifikimin dhe nëse rezulton i vërtetë, njofton qiradhënësin dhe qiramarrësin për ndërprerjen e bonusit të strehimit. Me humbjen e të drejtës së përfitimit të bonusit, zyra përkatëse në Bashki njofton qiradhënësin. Marrëdhëniet mes qiramarrësit e qiradhënësit u nënshtrohen parashikimeve në Kodin Civil. Çdo subjekt që është miratuar për përfitimin e bonusit të strehimit pajiset me një dokument, i cili përmban masa sigurie, në mënyrë që të mos lejojë falsifikimin e tij, të dhëna mbi identifikimin e qiramarrësit, të dhëna mbi identifikimin e qiradhënësit, adresën e banimit aktual të qiramarrësit, adresën e banesës që jepet me qira, adresën e banimit të qiradhënësit, numrin e telefonit apo çdo të dhënë tjetër që mund të shërbejë për të komunikuar me të në rast ndërprerjeje të bonusit.
Formula e përllogaritjes që duhet të aplikojë bashkia
A=Qm x 3
A - janë të ardhurat mujore të familjes
Qm - është masa e qirasë minimale në treg
Shuma e bonusit të strehimit llogaritet sipas formulës
Ç = Q-(Ax0.3)
Ç - është vlera e bonusit
Q - është qiraja e ofruar nga pronari i banesës ose qiraja aktuale të cilën paguan familja, por jo më e lartë se qiraja minimale
A - janë të ardhurat mujore të familjes
Bonusi humbet vlefshmërinë kur:
Qiramarrësi bën deklarim të rremë për të ardhurat
Qiramarrësi ka përfituar një banesë tjetër
Qiramarrësi ia ka lënë me qira një të treti apartamentin për të cilin ka lidhur kontratë dhe përfiton bonusin
26 Janar 2009