Formula e rektorit

Rektori Ibrahim Gashi ua ka bërë një ofertë të mirë profesorëve që mbajnë poste të tjera publike. Ata do të pezullohen përkohësisht nga marrëdhënia e punës në Universitet, por mund të kthehen aty kur të duan. Në Rektorat thonë se po zbatojnë praktikat e vendeve perëndimore.
Profesorët e Universitetit të Prishtinës, që ushtrojnë edhe poste politike në Qeveri, duket se janë njerëzit më me fat në Kosovë. Asnjëri nga ta nuk kanë nevojë të mërziten se mund ta humbin punën si profesor në Universitet Publik, derisa në të njëjtën kohë kryen punët e tij si ministër apo edhe deputet. Këtë komoditet atyre ua ka ofruar rektori i ri i UP’së, Ibrahim Gashi.
Ishte pikërisht ky i fundit që sapo erdhi në krye të menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës vendosi të bëjë diçka shumë të rëndësishme. Ai kërkoi nga të gjithë profesorët aty të deklarohen nëse punojnë edhe një punë tjetër, përveç asaj në UP.
Premtoi se në asnjë mënyrë kjo gjë nuk do të vazhdojë më kështu siç ka shkuar. Tha qartë se nuk do të lejojë më kurrë profesorë që kanë kontratë të plotë pune edhe gjetiu.
Megjithëse, tash kur ka nisur të mbledhë deklarimet e profesorëve, vendosi të bëjë diçka tjetër.
Atyre profesorëve që në të njëjtën kohë ushtrojnë edhe funksione të larta publike ua ka ofruar një mundësi shumë të mirë, ndryshe prej profesorëve të tjerë që punën e dytë përveç asaj të profesorit në UP e kryejnë si shërbyes civil diku tjetër.
Për t’ia ruajtur vendin e punës si profesor, Gashi ka vendosur t’ua lejojë atyre pezullimin e përkohshëm nga puna e profesorit kur emërohet në funksione publike, por gjithmonë duke u ruajtur marrëdhënien e punës me UP’në.
Këtë e ka konfirmuar për Express Ardian Kastrati zëdhënësi i rektorit Gashi.
“Risia është se në këto situata do të përzgjedhin profesorë të fushës së njëjtë dhe me thirrje akademike të njëjtë. Assesi asistent, siç ka ndodhur në të kaluarën”, ka thënë Kastrati për Express.
E nëse të njëjtit nuk duan ta pezullojnë postin e profesorit, kontrata kurrë nuk u ndërpritet. Kjo pasi sipas Kastratit ligjërimi i tyre në UP konsiderohet si një privilegj.
“Ne jemi duke respektuar praktikat e vendeve dhe universiteteve perëndimore, të cilat profesorëve të tyre që marrin angazhime politike, në asnjë rast nuk u ndërpritet kontrata. Përkundrazi ato universitete konsiderojnë që është privilegj që nga akademitë e tyre rekrutohen ministra dhe konsulentë të tjerë politikë”, tha ai.
Por fatin e mirë si të këtyre nuk e kanë edhe profesorët e tjerë që punojnë në UP dhe të njëjtën kohë punojnë edhe diku tjetër, si staf civil. Për këtë kategori profesorësh Gashi ka vendosur t’i vë disa kushte.
Sipas zëdhënësit të UP’së, këtyre profesorëve që nuk janë në funksione politike, rektori do t’u kërkojë të zgjedhin se cilën punë dëshirojnë ta mbajnë si primare ( me orar të plotë) dhe cilën si sekondare (me gjysmë orari).
“Ata mund të mbajnë edhe një pune me gjysmë orari sepse ligji e lejon, por ne nuk do të tolerojmë që t’i mbajnë dy kontrata të rregullta”, tha Kastrati.
I gjithë ky kategorizim i profesorëve që punojnë në UP dhe diku tjetër vjen pas kërkesës së rektorit Ibrahim Gashi, i cili sapo mori këtë post ka kërkuar nga ata të deklarohen se në sa vende punojnë.
Afati për deklarim ka qenë deri në fund të dhjetorit të vitit që lamë pas. Pasi janë marrë të gjitha masat vetëm një muaj pas, në janar është formuar një komision. Deri më tani janë identifikuar një numër i caktuar i stafit akademik që ka angazhime edhe në një punë të dytë, por shifër të saktë nuk ka.
Rektorati ende nuk ka listë përfundimtare të numrit të profesorëve me dy kontrata pune, një në UP e tjetrën në ndonjë kolegj ose institucion privat. Kastrati arsyetohet se kjo punë merr më shumë kohë, pasi s’është proces i lehtë.
“Do t’i thërrasim profesorët që të vijnë në Rektorat, ku, duke u konsultuar me Statutin e UP-së dhe me Ligjin e Arsimit, do t’u kërkojmë të deklarohen se a duan të vazhdojnë punën me kontratë të plotë në UP apo diku tjetër”, ka thënë ai, pa e përjashtuar edhe mundësinë e largimit të ndonjë profesori që nuk i respekton rregullat.
E këtë nismë të rektorit Gashi e patën vënë në dyshim disa nga ekspertët e arsimit. Njëri nga ata Jonuz Salihaj, që e drejton sektorin e arsimit në AAK. Sipas tij, nisma është e mirë, por Gashi vështirë e ka t’i dalë në krye kësaj pune. Kjo sepse, sipas tij, Gashi ka ikur nga postet politike për ta marrë postin e rektorit./Indeksonline/