E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formular ankese për konsumatorët e pakënaqur

Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, ngrihet për herë të parë Autoriteti i Kontrollit Ushqimor

Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit janë bërë publike dy lajme pozitive për Shqipërinë. I pari që, nëse konsumatori shqiptar do të ndihet i pakënaqur nga një produkt, apo një shërbim, do të ketë të drejtë të ankohet, në mënyrë institucionale. Kjo do të nxehë edhe motorët e kërkimit, nga strukturat shtetërore.

Ndërkohë që ngritja e Autoritetit të Kontrollit Ushqimor është një strukturë, e cila do të ndihmojë kontrollin në vend, duke i siguruar cilësi konsumatorëve shqiptarë, njësoj siç ndodh edhe me konsumatorët europianë.

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, dhe Zyra për Mbrojtjen Konsumatorit, publikuan dje formularin tip të ankesave që do të përdoren nga konsumatori.

Ky formular është një hap dhe mjet ligjor që do të evidentojë problemet e konsumatorit shqiptar.
“Formulari do të rrisë padyshim lidhjen e konsumatorit me të gjitha institucionet rregullatore në treg dhe për herë të parë do t’i hapë rrugë ndjekjes ligjore të problemeve me të cilat ai përballet në treg”, është shprehur kreu i Ministrisë së Ekonomisë.

Sipas tij, strukturat e posaçme do të bëjnë çfarë është e mundur që konsumatorët të jenë të mbrojtur në aspektin teknik.

Ndërkohë që është hapur edhe një “zë” i ri në këtë ministri. është vendosur një mënyrë kontakti i drejtpërdrejtë për ankesat dhe kërkesat e konsumatorëve dhe kreut të Dikasterit të Ekonomisë. Dje është paraqitur dhe plani i reduktimit të numrit të inspektorateve në vend, që mendohet se do të rrisë më shumë efikasitetin e punës së tyre. Heqja e tarifave doganore për produktet ushqimore do të jetë një nga synimet kryesore që kërkon të arrijë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vend. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorëve, Genc Juga, përfaqësues i AKU-t, ka nënvizuar rëndësinë ekonomike dhe sociale që ka ky institucion. Sipas tij, AKU do të jetë një nismë për të forcuar hallkat që lidhin konsumatorin me prodhimin. “Mbrojtja e konsumatorit ka qenë problematike në këto dy dekada dhe shpesh ka penguar integrimin e vendit në instancat ndërkombëtare. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të jetë një hap drejt përfaqësimit dinjitoz”, u shpreh Juga. Sipas tij, funksionimi efikas i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit do të rrisë sigurinë e produkteve ushqimore të importit dhe eksportit. Me qëllim vendosjen e kompetencave të qarta në sigurinë ushqimore, AKU do të mbulojë kontrollet dhe inspektimet, vlerësimin dhe komunikimin e riskut, për të gjithë fushën e sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së bimëve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›