E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi pritet të hapë një dikaster të ri dhe të emërojë kreun e ADK-së

Edita Tahiri, ministrja e Integrimit të Kosovës

Përveç rikonfigurimit që pritet të ndodhë së shpejti në qeverinë e Kosovës, siç ka deklaruar kreu i saj, Hashim Thaçi, pritet gjithashtu që të formohet edhe Ministria e Integrimeve Europiane, e cila pritet të udhëhiqet nga kryetarja e Alternativës Demokratike të Kosovës, Edita Tahiri, që është në koalicion me PDK-në. Këtë e bën të ditur agjencia e lajmeve “Kosovapress”, e cila është një media e pavarur, që ka një linjë editoriale të afërt me partinë e Kryeministrit Hashim Thaçi. Burimet e “Kosovapress” brenda Partisë Demokratike të Kosovës kanë bërë të ditur se zyrtarët e lartë të kësaj partie janë duke shqyrtuar mundësinë që timonin e Ministrisë së Integrimeve Europiane t’ia besojnë Edita Tahirit, me të cilën PDK-ja kishte nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor para zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, e cila është ende në fuqi. E kontaktuar nga “Kosovapress”, Tahiri nuk ka dashur të flasë për këtë çështje, duke thënë se nuk dëshiron që emri i saj të përflitet nëpër media, sikur me rastin e formimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në fund rezultati të dalë ndryshe. Sidoqoftë, sipas burimeve, Tahiri ka zhvilluar takime me njërin prej nënkryetarëve të PDK-së, nga i cili ka marrë mbështetje të fuqishme për të qenë pjesë e kabinetit qeveritar dhe në krye të Ministrisë së Integrimeve. Ndërkohë, zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se nuk ka asgjë zyrtare në këtë drejtim dhe përderisa nuk ka asgjë përmes linjave zyrtare, atëherë as nuk mund të flitet për diçka konkrete. “Dihet që për secilën ministri është përgjegjës dhe vendimet i merr Kryeministri. Normalisht që zhvillohen diskutime edhe brenda subjektit tonë, por edhe me subjektet tjera të koalicionit apo edhe më gjerë, mirëpo njëherë për një herë nuk ka diçka konkrete. Në momentin e përshtatshëm normalisht do të vendoset për atë se kush do ta udhëheqë këtë ministri”, ka thënë Stavileci për “Kosovapress”. Ministria e Integrimeve, siç është thënë vazhdimisht, pritet të formohet brenda këtij viti, për shkak të angazhimeve për implementimin e kritereve të nevojshme për afrim të Kosovës me Bashkimin Europian, duke përfshirë edhe përfshirjen në procesin e liberalizimit të vizave. Për formimin e kësaj ministrie është interesuar ditëve të fundit edhe udhëheqësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, për të cilin Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ka pyetur se kush do të jetë drejtues i kësaj ministrie të re. Kjo lë të kuptohet se është mundësia që Ministria e Integrimeve të udhëhiqet nga një femër dhe duke e pasur parasysh faktin që Tahiri është kontaktuar nga zyrtarët e lartë të PDK-së, mundësia më e madhe mbetet që kjo ministri të udhëhiqet nga kryetarja e ADK-së.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›