E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A1, caktimi i provimeve me zgjedhje

19/02/2010 Procedura e plotësimit pa u penalizuar

Gjatë përzgjedhjes maturantët nuk duhet të caktojnë dy lëndë që u përkasin gjuhëve të huaja

Hartohet formulari A1, gati shpërndarja në shkollat e mesme. Maturantët që duan të marrin pjesë në garën e pranimeve në universitete duhet detyrimisht të plotësojnë dy formularët, ku do të përcaktojnë dy lëndët që do të japin si provim me zgjedhje në mbyllje të muajit qershor. Ekspertët hartues të maturës pohojnë se plotësimi i formularit duhet të bëhet pasi të kenë marrë informacionet e duhura për të 12 lëndët që do të jepen në provimet me zgjedhje. Më pas do të qarkojnë vetëm dy prej tyre. Sipas burimeve në MASH, më shumë probabilitet për të shpallur fitues në universitete do të kenë ata maturantë, që do të përcaktojnë për provimet me zgjedhje lëndë që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme që kanë mbaruar. Kjo, pasi në procesin e llogaritjes së rezultatit final, vlera e koeficientëve do të jetë më e lartë për degët e të njëjtit profil me llojin e shkollës së mesme, sesa ato me natyra të ndryshme. Afati i fundit për dorëzimin e formularit të plotësuar është përcaktuar data 10 mars 2010.

Formulari A1

Formulari A1 plotësohet për t’u regjistruar në Maturën Shtetërore 2010 vetëm nga

maturantët që mbarojnë shkollën e mesme gjatë këtij viti, si dhe nga kandidatët që kanë mbaruar shkollën para vitit 2009, por që nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje në asnjë nga vitet e shkuara. Plotësimi i formularit do të quhet i rregullt, vetëm nëse bëhet me shkronja të mëdha (kapitale). Në rast të kundërt, ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe nxënësi ose kandidati humbet të drejtën e regjistrimit. Për rastet kur nxënësi ose kandidati ka bërë gabime në plotësimin e formularit, ata mund të plotësojnë një

formular tjetër A1, i cili zëvendëson të parin. Zëvendësimi i formularëve mund të pranohet nga komisioni shkollor i Maturës Shtetërore vetëm brenda afatit të dorëzimit të tij, që është data 10 mars 2010. Pas këtij afati, nxënësi ose kandidati nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime të tjera. Për kandidatët që kanë mbaruar para vitit 2009, drejtori i shkollës ngarkon një mësues që do të luajë rolin e mësuesit kujdestar e që do të ndihmojë në hedhjen e të dhënave për notat e detyruara si dhe mesataren.

Përzgjedhja

Pas plotësimit të pjesës së parë të formularit, ku hidhen të dhënat personale për identifikimin e maturantëve, plotësohen kuadratet ku hidhen lëndët dhe notat e shkallëzuara D1 dhe D2, për nxënësit që kanë dhënë provimet me detyrim në Maturën Shtetërore 2006, 2007, 2008 dhe 2009. Për nxënësit që kanë mbaruar maturën para vitit 2006, do të vendosen notat ekuivalente me provimet e detyruara. Në këtë rast ekuivalentimi bëhet në përputhje me Dëftesën e Pjekurisë origjinale. Kjo e dhënë plotësohet në bashkëpunim me drejtorin e shkollës, vetëm për nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2009. Bazuar në listën e lëndëve me zgjedhje të listuar në formular, nxënësi duhet të qarkojë vetëm dy prej tyre, ku do të japë provimin. Në lëndët që qarkohen vetëm njëra mund të jetë gjuhë e huaj. Kështu, maturantët penalizohen nëse përzgjedhin të japin si provim me zgjedhje dy lëndë që u përkasin gjuhëve të huaja.

Regjistrimi për maturantët e para 2009-ës

Rregullorja e provimeve të Maturës Shtetërore për 2010-ën lejon konkurrimin për universitetet me rezultatet e provimeve me zgjedhje të dhëna gjatë viteve të shkuara. Kështu, maturantët e para 2009-ës, që kanë dhënë provimet me zgjedhje, për të konkurruar gjatë këtij viti nuk janë të detyruar që të rijapin provimet me zgjedhje. Kjo kategori detyrimisht duhet të plotësojë formularin A1-Z, ku deklarohen të dhënat personale. Njohja e rezultatit mund të bëhet për njërën nga lëndët me zgjedhje ose për të dyja. Kështu formulari A1-Z plotësohet për t’u regjistruar në Maturën Shtetërore 2010 vetëm nga kandidatët që kanë marrë pjesë në provimet me zgjedhje të Maturës 2006, 2007, 2008 dhe 2009, e që duan të mbartin njërën ose të dyja lëndët me zgjedhje në Maturën Shtetërore 2010. Pas plotësimit të gjeneraliteteve në hapësirat bosh, duhet të shënohet emri i lëndës (lëndëve) me zgjedhje që do të mbartet dhe vitin kur është dhënë provim kjo lëndë. Nëse lënda që do të mbartet është dhënë provim më shumë se një herë, atëherë në formular duhet të shënohet viti i fundit kur është dhënë provim kjo lëndë. P.sh., nëse do të mbartni lëndën Fizikë, të cilën e keni dhënë provim dy herë, në maturën 2008 dhe 2009, në formular duhet të shënohet rezultati i arritur në 2009-ën. Në llogaritjen e rezultatit final për këta kandidatë do të merren koeficientët e këtij viti dhe jo ato të përdorura gjatë viteve të shkuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›