Shpallet në kërkim biznesmeni italian, mashtroi bankën dhe vodhi 15 mijë euro
Një sipërmarrës italian është shpallur në kërkim, pasi me një dokument fals ka arritur të tërheqë një sasi të konsiderueshme parash në filialet e bankës “Intesa San Paolo” në Durrës. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dje nisi procedimin penal në mungesë në ngarkim të shtetasit italian Viti Leonardo Ludovico, 48 vjeç, lindur në Bari Itali dhe banues ne Susa Via Motello 12/2/1 Torino, administrator i shoqërisë “LVL Import Eksport”, me seli në Kuçovë, me kombësi dhe shtetësi italiane. Sipas tyre, procedimi në ngarkim të tij filloi për arsye se shtetasi i lartpërmendur, nëpërmjet përdorimit të një dokumenti të falsifikuar të bankës “Intesa San Paolo”, me qendër në Avigliana, Itali, ka mashtruar drejtorin e bankës “Intesa San Paolo”, dega Durrës.
Mashtrimi
Zëdhënësja e Policisë thotë se më datë 2 shkurt 2009 ai ka marrë një shumë prej 15 000 eurosh, pasi sipas këtij dokumenti nga llogaria e tij, në Itali ishin xhiruar për në llogarinë e tij në Shqipëri një shumë prej 450 000 eurosh. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës si dokument i lëshuar nga banka në Itali, ashtu dhe gjithë dokumentacioni i tërheqjes së lekëve nga ky shtetas në bankën “Intesa San Paolo” në Durrës. Policia njofton se po punohet për kapjen e shtetasit Viti Leonardo Ludovico. Sipas saj, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit pasi shtetasi Viti Ludovico akuzohet për veprën penale të “mashtrimit”.
Abuzimet
Një rast flagrant i abuzimit me bankat u zbulua edhe dy vite më parë, ku organizatori i gjithë vjedhjes ishte analisti i kredisë së një banke, i cili kishte shpikur një mënyrë të re mashtrimi. Me ndihmën e "sekserëve" të tij ai ka përdorur dokumente me të dhëna të rreme në këmbim të kredive të pesë personave. Në këmbim të përfitimit të tij ai u kishte premtuar kredimarrësve viza për jashtë shtetit. Sipas prokurorisë, marrja e pesë kredive është bërë në afatin kohor prej tre muajsh, kohë kur janë tërhequr nga banka rreth 50 milionë lekë të vjetër. “Analisti i kredisë, duke shfrytëzuar detyrën që kishte, me ndihmën e sekserëve, gjente qytetarë, të cilët donin të iknin jashtë shtetit kundrejt pagesave të ndryshme. "Mashtruesit" i bindnin qytetarët hallexhinj që me fotografitë e tyre dhe gjeneralitete të rreme, të tërheqin kredi 10 milionëshe, para këto që kalonin në llogarinë e analistit të kredisë. "Të gjitha dokumentet për kredinë, si certifikata e sigurimeve shëndetësore, fletë të regjistrimit të biznesit, kontrata pune dhe një sërë falsifikimesh të tjera, bëheshin prej analistit të kredisë, ndërsa personi që "shiste" emrin pajisej me një vizë ‘Shengen’ për në shtetin grek apo italian", - detajuan asokohe burime nga akuza.
Arrestohen 7 agjentë sigurimesh për mashtrime
Shtatë agjentë sigurimesh janë ndaluar nga policia për ushtrim aktiviteti në vende të ndaluara, ndërsa kompanitë e mëdha janë gjobitur me shuma të konsiderueshme. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar pranë Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Policinë Tatimore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Ambasada” i finalizuar në rrugën “Papa Gjon Pali II”, bënë të mundur kapjen e shtetasve: Lefter Mestan Jaupaj, 42 vjeç, lindur në Tepelenë e banues në Tiranë; Ylmije Neki Kapedani, 61 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë; Mbarime Selmani, 44 vjeçe, lindur në Fier dhe banuese në Tiranë; Kujtim Kadri Malaj, 46 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë; Lindita Ismail Dema, 55 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë; Fatos Bujar Karagjozi, 43 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Pirro Jani Toçka, 46 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas tyre, “pas një hetimi të kryer dyshohen se këta shtetas, duke qenë të punësuar si agjentë sigurimesh pranë shoqërive të sigurimeve, “Sigal”, “Eurosig”, “Albsig” dhe “Atlantik”, degë të cilat janë të vendosura në afërsi të Ambasadës Italiane në Tiranë, ushtronin aktivitetin e tyre duke u prerë sigurime për jetën mbi vlerën e përcaktuar qytetarëve të ndryshëm (të cilët aplikojnë për marrjen e vizave pranë kësaj ambasade). Ndërkohë, Policia Tatimore Tiranë ndërmori masën me “gjobë” ndaj këtyre kompanive sigurimesh në vlerën 250 mijë lekë (secila), pasi këto kompani ushtronin aktivitetin e tyre, në ambiente të cilat nuk ishin licencuar. “Punonjësit e punësuar në këto shoqëri sigurimesh, pasi iu morën deklarimet dhe u këshilluan që të mos ushtrojnë këtë aktivitet, u lanë më pas të lirë”, - thonë burimet policore.
Prangoset shefi i Inspektoratit Ndërtimor të Elbasanit
Ish-kryetari i Komisionit të Strehimit në Bashkinë e Elbasanit, aktualisht shef i Inspektoratit Ndërtimor pranë Këshillit të Qarkut, Kujtim Hazbiu, u arrestua dje në flagrancë me akuzën për "korrupsion pasiv". Nëndrejtori i Policisë së Qarkut të Elbasanit, Ylli Metko, tha se "arrestimi u bë me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan". Sipas tij, Prokuroria kishte 6 muaj që hetonte për këtë shtetas dhe kishte mbledhur prova në bazë të denoncimeve të kryera nga shumë qytetarë, që akuzojnë Kujtim Hazbiun se ka marrë ryshfet për dhënien e banesave. Pas arrestimit të Hazbiut, çështja ndaj tij i kaloi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, që ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Dy muaj më parë, në pranga ka rënë dhe anëtari i Komisionit të Strehimit në Bashkinë e Elbasanit, Shpëtim Myftarai, që u akuzua për veprat penale "përfitim me anë të mashtrimit" dhe "korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike", i denoncuar nga qytetarët pranë organeve kompetente.
Aksidentohet kryebashkiaku i Shkodrës
Aksidentohet në kryqëzimin e Gjadrit mjeti në të cilin udhëtonte kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Sipas informacioneve të marra, makina e kryetarit u përplas me një tjetër mjet, ndërkohë mësohet se vetë Luka nuk ka pësuar dëme. Tre persona të tjerë janë lënduar lehtë dhe janë dërguar në spital për të marrë kurimin e duhur. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes.
22 Tetor 2009