Dosja “Gërdeci”, Prokuroria kërkon rrëzimin e kërkesave të avokatëve
Laureta Rryçi
Grupi i prokurorëve të dosjes së Gërdecit i kërkuan dje Gjykatës që të rrëzonte të gjitha kërkesat paraprake të avokatëve të 29 të pandehurve. Në seancën e radhës, që nisi dje rreth orës 10:00, për më shumë se një orë, përfaqësuesit e akuzës dhanë argumentet ligjore për rrëzimin e kërkesave paraprake të mbrojtësve të të pandehurve. Në lidhje me këto pretendime, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, do të shprehet sot. Seanca e djeshme, edhe pse fillimisht mungonin dy avokatë, Maks Haxhia dhe Hysni Beti, vijoi normalisht. Ndërkohë nuk munguan dhe debatet. Avokatët ngritën pretendimin se akuza nuk i ka kuptuar mirë kërkesat e tyre dhe ata duket se ishin të pakënaqur me pretendimet e prokurorëve.
Prokuroria
Prokurorët argumentuan dje se Gjykata nuk duhet të pranonte kërkesën e avokatit të Ylli Pinarit që procesi të zhvillohej me dyer të mbyllura për shkak se mund të dilnin dokumente apo të dhëna që përbëjnë sekret shtetëror. Sipas përfaqësuesit të akuzës, ky proces ka ndjeshmëri të lartë të opinionit publik, andaj është shumë e rëndësishme që të jetë sa më transparent. Në rast se në seanca të veçanta do të lindë nevoja për të ruajtur të dhëna që përbëjnë sekret shtetëror, atëherë mund të bëhen me dyer të mbyllura. Prokuroria e cilësoi si të paligjshme kërkesën e avokatëve për cilësimin të pavlefshëm të kërkesës për gjykim me pretendimin se nuk janë respektuar afatet për mbylljen e hetimeve. Prokurori shpjegoi se komunikimi i akuzës është individual, për këtë arsye dhe të pandehurit kanë mësuar në kohë të ndryshme statusin e tyre si të pandehur. E pavlefshme u cilësua edhe kërkesa e avokatit Ibrahim Lahi, që në këtë proces mbron interesat e ish-shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha. Avokati Lahi kërkoi një seancë më parë që dy akte ekspertimi të bëra nga ushtarakët ishin të pavlefshme. Po kështu, në fund prokurorët kërkuan që të mos pranohej kërkesa për gjykim të shkurtuar e Agim Lalës. Sipas përfaqësuesve të akuzës, nëse do të pranohej kjo kërkesë, atëherë gjykata do të detyrohej ta veçonte dosjen për Lalën, ndërkohë që kjo kërkesë është hedhur një herë poshtë që të mos gjykohet veçmas.
Vendimi
Për pretendimet e palëve, trupi gjykues do të japë vendimin e tij gjatë ditës së sotme. Vendimi i ditës së sotme do të jetë deciziv për mbarëvajtjen e procesit për shkak se kërkesat e avokatëve janë të shumta, por kryesisht ato kanë të bëjnë me pavlefshmëri aktesh duke hedhur kështu poshtë punën disamujore të institucionit të akuzës. Në fund të seancës së djeshme, kryetari i trupit gjykues u kërkoi avokatëve që të shkonin në sallën e mbledhjeve për të dhënë të dhënat e tyre, por edhe për të diskutuar që procesi të vijonte normalisht.
Gërdeci, tragjedia që solli 26 vdekje
Gjyqi për tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, është një nga proceset më të mëdha gjyqësore të hapura në vend.
Për tragjedinë e 15 marsit 2008 Prokuroria ka dërguar në Gjykatë dosjen me 28 të pandehur, si dhe akuzoi për shpërdorim detyre ish- ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit. Por, Gjykata e Lartë vendosi ta pushojë çështjen ndaj Mediut pasi ai është veshur me mandatin e deputetit nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Pak ditë më parë familjarë të viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec dorëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzim penal ndaj ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu. Ata kërkojnë rihapjen e çështjes ndaj Fatmir Mediut.
Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Alba Demil", Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeçi, janë në gjendje arresti.
Veçimi
Gjykata refuzoi një seancë më parë ndarjen e dosjes
Gjykata refuzoi të ndante dosjen e Gërdecit duke hedhur poshtë kërkesën e ish-ushtarëve që janë të pandehur në këtë proces. Një seancë më parë, trupi gjykues, i drejtuar nga gjyqtari Ridvan Hado, lexoi vendimin e ndërmjetëm duke shpjeguar arsyet përse refuzohej kërkesa e ushtarakëve. Ushtarakët kërkuan veçim të dosjes nga 4 të pandehurit e tjerë të arrestuar që akuzohen për vrasje masive dhe shkatërrim prone. Kërkesa iu paraqit trupit gjykues nga avokatët mbrojtës në seancën gjyqësore të një jave më parë. Avokatët sollën si argumentin më të fortë pretendimin se nuk ekziston asnjë provë që ato kanë bashkëpunuar për të kryer këto vepra penale. Mirëpo nuk ndan të njëjtin mendim me ta trupi gjykues. Sipas arsyetimit të trupit gjykues, të kryesuar nga Ridvan Hado, kërkesa “do të dëmtonte vërtetimin e fakteve”. Hado shpjegoi më tej se Prokuroria ka sjellë materiale, të cilat tregojnë dhe flasin për një proces zinxhir. Nëse do të veçohej dosja ashtu siç dhe u premtua, atëherë edhe pozicioni i gjithsecilit nuk do të ishte i qartë. Prokurorët që kanë hetuar për tragjedinë e Gërdecit në dosje kanë dhënë shumë shpjegime përse të pandehurit kanë bashkëpunuar për të vënë në jetë fabrikën e demontimit nëpërmjet së cilës u shkaktua dhe tragjedia.
22 Tetor 2009