Basha: “Ministeriali i BE-së vlerësoi progresin e bërë në luftën antitrafik”
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, mori vlerësime pozitive për ecurinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore dhe korrupsionit. Konstatimet u bënë gjatë takimeve në Ministerialin e BE-së “Drejt një veprimi global kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, të zhvilluar në Bruksel, nën kujdesin e Presidencës suedeze të BE-së dhe mbretëreshës Silvia të Suedisë. “Shqipëria, një vend që më përpara njihej si vend me probleme të jashtëzakonshme me krimin e organizuar, sot njihet si vendi me përparimin më të dukshëm kundër krimit të organizuar, me rezultatet më të prekshme në luftën kundër këtij krimi, në veçanti sa i përket trafikut të qenieve njerëzore, trafikut të fëmijëve. Duke marrë shembull vullnetin e qeverisë shqiptare për të ecur përpara me çdo masë duke përfshirë këtu edhe masa të tilla, siç është moratoriumi mbi skafet në ujërat territoriale shqiptare, modernizimi i infrastrukturës së kufirit apo prodhimi i pasaportave biometrike bën thirrje që këto përpjekje të qeverisë shqiptare të vlerësohen siç janë vlerësuar deri tani dhe të çojnë drejt plotësimit të angazhimeve që pala komunitare ka ndërmarrë me theks të veçantë integrimin europian të vendit dhe heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda një kohe sa më të shkurtër”, - tha Basha. Në këtë takim u diskutua mbi sfidat e rëndësishme kundër trafikimit të qenieve njerëzore nga ana e vendeve të BE-së dhe kandidatët potencialë, si dhe forcimin e partneritetit në drejtim të luftës kundër këtij trafiku si dhe mbrojtjes e rehabilitimit të viktimave.
Topi, letër Sejdiut: “Marrëveshja Kosovë-Maqedoni, akt i rëndësishëm politik”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me anë të të cilit përshëndet nënshkrimin e Marrëveshjes së përcaktimit të vijës kufitare me Republikën e Maqedonisë.
“I nderuar zoti President,
Më lejoni që të përshëndes nënshkrimin e Marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë! Shpreh bindjen se këto akte të rëndësishme politiko-juridike ndihmojnë pozitivisht frymën e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe të konsolidimit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në ndihmë të proceseve gjithëpërfshirëse integruese, për të cilat vendet tona janë angazhuar. Duke Ju uruar edhe një herë për suksese në hapat për fuqizimin dhe njohjet e mëtejshme të Republikës së Kosovës, Ju lutem pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratë sime më të lartë!” - shkruan presidenti Topi në mesazhin e urimit dërguar homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiut.
Topalli takon ambasadorin e Kubës: “Do të intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim ambasadorin e Kubës që mbulon marrëdhëniet me Shqipërinë, zotin Gerardo Suarez Alvares. Duke e konsideruar takimin me kryetaren e Kuvendit si shumë të veçantë për nga rëndësia, ambasadori kubanes theksoi se forcimi i marrëdhënieve dypalëshe është ndër prioritetet e punës së tij.
Ambasadori Suarez vlerësoi progresin impresionues të Shqipërisë, duke shtuar se Kuba është e interesuar për të dinamizuar marrëdhëniet ekonomike, por edhe ato në fushën e kulturës përmes shkëmbit të turistëve apo përfaqësuesve të biznesit. Kryetarja e Kuvendit dhe ambasadori Suarez biseduan mbi idenë e ngritjes së grupeve parlamentare të miqësisë në parlamentet reciproke, gjë që do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit. Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria do të vlerësonte njohjen nga Kuba të pavarësisë së Kosovës, e njohur tashmë nga 62 vende, 90 për qind vende të BE-së. Ajo theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës është thelbësore sepse ka të bëjë me paqen në rajonin tonë. Ambasadori Suarez shprehu kënaqësinë për një vizitë zyrtare të Kryetares së Kuvendit dhe delegacionit parlamentar në Kubë.
22 Tetor 2009