Formulari që duhet të plotësohet për dëmshpërblim nga familjarët e të ekzekutuarve pa gjyq
Anilejda Shëmbitraku
Është publikuar dje në Fletoren Zyrtare Nr. 167 formulari i plotë që duhet të plotësohet nga familjarët e të ekzekutuarve pa gjyq për përfitimin e dëmshpërblimit. Ministria e Drejtësisë kryen shqyrtimin administrativ të kërkesave për dëmshpërblim financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991 dhe përcakton masën e dëmshpërblimit financiar. Formulari “A”, së bashku me formularin tip, shpërndahen pranë çdo filiali të Postës Shqiptare. Kërkesa paraqitet nga paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e viktimës së ekzekutuar padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave.
Formulari
Formulari i aplikimit për dëmshpërblimin financiar të familjarëve të viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, duke u nisur nga data e botimit në Fletoren Zyrtare ka afat dorëzimi deri më datë 17 korrik të vitit 2011. Plotësimi i tij nga ana e familjarëve mund të fillojë në muajin janar të vitit 2011. Formulari përbëhet nga 6 faqe. Në të parën vendoset fotografia dhe kërkesa e pasardhësit të të ekzekutuarit pa gjyq. Në faqen e dytë vendosen të dhënat e sakta për identitetin e të ekzekutuarit padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike si dhe informacioni për gabime ortografike në ndonjërin prej dokumenteve. Në faqen e tretë vendosen të gjithë emrat e pasardhësve sipas Kodit Civil, ndërsa në faqen e katërt vendoset adresa e saktë e aplikuesit. Në faqen 5 vendosen të dhënat për periudhën e paraekzekutimit, si dhe të dhëna për llojin dhe mënyrën e ekzekutimit. Ndërsa në 11 faqet e tjera duhet të përcaktohen format e ndryshme të ushtrimit të dënimeve politike dhe të plotësohen të gjitha të dhënat që i korrespondojnë të afërmit të kërkuesit.
Dëmshpërblimi
Familjarët e viktimave të pushkatuara pa gjyq, për motive politike, për vuajtjen dhe persekucionin, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë, gjithsej, në masën e 8 (tetë) viteve kompensim dënimi me burgim. Kompensimi financiar kryhet në bazë të përllogaritjes, sipas së cilës, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, dëmshpërblimi financiar është në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë. Nga shuma që çdo subjekt i ekzekutuar pa gjyq, për motive politike, përfiton nga ky vendim, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme. Këshilli i Ministrave është autoriteti përgjegjës që miraton dëmshpërblimin financiar dhe, me vendim, përcakton gjeneralitetet përkatëse të të ekzekutuarit padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, mënyrën e ekzekutimit dhe shumën e dëmshpërblimit financiar, gjeneralitetet e sakta të familjarëve dhe masën përkatëse të dëmshpërblimit të tyre. Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan fondet në mënyrë proporcionale për të gjithë familjarët e viktimave të pushkatuara, pa gjyq, për motive politike, me kusht që vlera e dëmshpërblimit, gjatë fazës së parë, të mos jetë më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë dhe jo më e vogël se 100 000 (njëqind mijë) lekë.
Verifikimi i kërkesës
Mungesa e dokumentacionit ju përjashton
Pas verifikimit të drejtpërdrejtë të informacionit, kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 – 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda afatit 30-ditor nga depozitimi i dosjes, njoftojnë, me shkrim, ministrin e Drejtësisë dhe i përcjellin, bashkëlidhur, një kopje të dokumenteve përkatëse arkivore. Kur është e mundur, autoritetet përgjegjëse japin të dhëna edhe për veprën penale politike, për kryerjen e të cilës viktima është ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq. Autoritetet përgjegjëse për përgatitjen e përgjigjes shfrytëzojnë burimet e tyre arkivore, të krijuara para datës 1.10.1991, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi tregojnë të dhëna për rrethanat e ekzekutimit pa gjyq të viktimës për një vepër penale politike. Informacionet e bashkërenduara depozitohen në dosje. Punonjësi përgjegjës, në përputhje me nenin 28, të Ligjit Nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, përgatit relacionin, të cilin ia paraqet ministrit të Drejtësisë. Në rast se, nga verifikimi i autoriteteve përgjegjëse në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 – 1.10.1991, nuk disponohen të dhëna për kërkuesin, atëherë punonjësi përgjegjës i propozon ministrit ta klasifikojë kërkesën si të pabazuar në Ligjin Nr. 9831, për mungesë provash. Klasifikimi si i pabazuar në Ligjin Nr. 9831 bëhet edhe për rastet kur dosja përmban si dokument provues vendimin e komisionit trepalësh apo vërtetimin e faktit të vrasjes pa gjyq, të dhënë me vendim gjykate, të lëshuar pas datës 1.10.1991. Ministri i Drejtësisë, në mbështetje të propozimit të strukturës përgjegjëse, urdhëron pranimin apo refuzimin e saj, i cili është i formës së prerë.
PËRJASHTIMI
Ja cilat kërkesa nuk do të pranohen
Autoritetet përgjegjëse për përgatitjen e përgjigjes shfrytëzojnë burimet e tyre arkivore, të krijuara para datës 1.10.1991, të cilat, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, tregojnë të dhëna për rrethanat e ekzekutimit pa gjyq të viktimës për një vepër penale politike. Informacionet e bashkërenduara depozitohen në dosje. Punonjësi përgjegjës, në përputhje me nenin 28, të Ligjit Nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, përgatit relacionin, të cilin ia paraqet ministrit të Drejtësisë. Në rast se, nga verifikimi i autoriteteve përgjegjëse në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 – 1.10.1991, nuk disponohen të dhëna për kërkuesin, atëherë punonjësi përgjegjës i propozon ministrit ta klasifikojë kërkesën si të pabazuar në Ligjin Nr. 9831, për mungesë provash.
Verifikimi
Pas verifikimit të drejtpërdrejtë të informacionit, kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 – 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda afatit 30-ditor nga depozitimi i dosjes, njoftojnë, me shkrim, ministrin e Drejtësisë dhe i përcjellin, bashkëlidhur, një kopje të dokumenteve përkatëse arkivore. Kur është e mundur, autoritetet përgjegjëse japin të dhëna edhe për veprën penale politike, për kryerjen e të cilës viktima është ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq.
KËRKESA
Dokumentacioni që është i domosdoshëm
1- Të dhëna për përbërësit e gjendjes civile të viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, në kohën e ekzekutimit;
2- Të dhëna për kohën e ekzekutimit;
3- Aktin administrativ apo dokumentin zyrtar, të lëshuar gjatë periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991, që provon ekzekutimin pa gjyq, për motive politike;
4- Certifikatën e vdekjes së viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, dhe certifikatën e trungut familjar;
5- Dokumentacionin që provon lidhjen familjare të dërguesit me viktimën e ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, si dhe dokumentacionin që provon se cilët nga familjarët përfitues janë të gjallë;
6- Çdo informacion, lidhur me gabimet ortografike apo materiale të përbërësve të gjendjes civile të viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, për identifikimin e saktë të tij;
7- Një adresë të saktë, të zgjedhur për komunikim.
8- Certifikatat e lindjes duhet të jenë lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kërkesës.
Kërkesa
Familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën, me shkrim, për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, sipas formularit. Formulari “A”, së bashku me formularin tip, shpërndahen pranë çdo filiali të Postës Shqiptare. Kërkesa paraqitet nga paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave. Familjarët në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake. Kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit financiar përcillen pranë Ministrisë së Drejtësisë, nëpërmjet Postës Shqiptare sh.a. dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, për dërguesin me vendndodhje jashtë vendit. Pas regjistrimit të dokumentacionit, struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për përfitimin e dëmshpërblimit financiar. Çdo kërkesë i nënshtrohet, paraprakisht, hetimit administrativ në sektorin e gjendjes gjyqësore, në Ministrinë e Drejtësisë.
18 Dhjetor 2010