E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krishtlindje Me Nënë Terezën

Krishtlindja është në prag të derës dhe na e kujton fotografia e përqafimeve që i dhurojmë njëri-tjetrit, dashuria me të cilën stolisim skenografinë e kësaj feste, tavolinat e dekoruara plot me karrige

Krishtlindja po afron. Ditët që e paraprijnë të mahnisin me influencën që kanë në çdo shpirt human. Të gjithë bëhemi papritmas më të sjellshëm, më bujar, harrojmë zënkat e lëmë mënjanë mëritë. Krishtlindja afron e ne jemi më njerëzorë, kemi sy për të parë çka na rrethon e veshë për të dëgjuar dhe mërmëritjet pa zë. Krishtlindja është në prag të derës dhe na e kujton fotografia e përqafimeve që i dhurojmë njëri-tjetrit, dashuria me të cilën stolisim skenografinë e kësaj feste, tavolinat e dekoruara plot me karrige. Krishtlindjen po e presim dhe kemi kaq dëshirë për të dhuruar mirësi. Spontanisht kaq zemërgjerë në fjalë e kaq bujarë nga xhepat. “Lulin e vockërr” që prej muajsh fle mbi trotuar e mbulojmë me mollë, e pak më tutje nënës së tij i zgjasim dorën. Krishtlindja po vjen e sa keq që nuk është çdo ditë.

Është një festë fetare e nuk ka më mirë sesa ta lexojmë me profecinë humane të Nënë Terezës, klerikes më njerëzore që jeta nuk do rresht kurrë t’i thotë: Faleminderit!

Për Nënë Terezën festa e Krishtlindjes kishte një virtyt shpirtëror mjaft kuptimplotë. Në kujtimet e saj thotë se nisi punën humanitare pikërisht në një ditë Krishtlindjeje të vitit 1948. Qe viti kur Kisha katolike e lejon të largohet nga Bashkësia Fetare e murgeshave të Zonjës Loreto, e ku bënte pjesë prej 20 vitesh, për t’iu dedikuar thirrjes së Zotit “shërbimit ndaj të varfërve midis më të varfërve”. Dita e parë e misionit të saj humanitar nis pikërisht në një ditë Krishtlindjesh (1948).

“Zgjodha këtë ditë, - shkruan ajo, - sepse përfaqëson esencën e besimit tonë. Mëngjesin e atij 25 dhjetori 1948, pasi kisha asistuar në Meshë, shkoj të vizitoj të vetmin “slum”, pra të vetmen barake që njihja, atë të Motijhil, një lokalitet pranë ndërtesës së shkollës ku për shumë vite kisha dhënë mësim. Në këtë “slum” për shumë kohë kisha dërguar nxënëset e mia të çonin dhuratat e Krishtlindjeve që kisha përgatitur për fëmijët e varfër që nuk njihja. Tashmë më në fund mund të shkoja personalisht tek këta fëmijë. Mund të festoja Krishtlindjen në kontakt “real” me Zotin që jeton mes të varfërve. Gjatë gjithë asaj dite feste ndjenja në Motijhil, duke u miqësuar me nënat e duke luajtur me fëmijët. Isha aq e lumtur sa harrova se nuk kisha një vend ku të flija natën. Kështu në darkë, nis e kërkoj një vend fjetjeje e më dukej sikur po jetoja aventurën e Virgjëreshës Mari shtatzënë që nuk gjen një vend ku të fle e përfundon në një stallë, ku lind dhe Jezus Krishtin. Vetëm natën shumë vonë munda të gjej një grua që më jep me qera një kasolle të mjerë për 5 rupi në ditë. Një ditë më pas në atë barake nis shkollën me 5 fëmijë. Qenë fëmijët e mi të parë. Në barake nuk kish as tavolinë, as karrige , as dërrasë të zezë. Me një shkop shkruaja shenjat e alfabetit mbi dyshemenë prej dheu e në këtë mënyrë jepja mësim. Tre ditë më pas ata 5 fëmijët u bënë 25 e para se të përfundonte viti ishin 41. Më vonë në atë vend ndërtova një shkollë që sot ka mbi 500 nxënës. Që atëherë në çdo Krishtlindje unë festoj nisjen e veprës sime”.

Nënë Tereza

Është Krishtlindje

Është Krishtlindje sa herë që i buzëqesh një vëllai e i zgjat dorën.

Është Krishtlindje sa herë rri në heshtje për të dëgjuar tjetrin.

Është Krishtlindje sa herë që nuk pranon ato principe që i largojnë të shtypurit nga kufijtë e shoqërisë.

Është Krishtlindje sa herë që shpreson me ata që dëshpërohen në varfërinë fizike e shpirtërore.

 Është Krishtlindje sa herë që rinjeh me përulësi limitet e tua e dobësinë tënde.

 Është Krishtlindje sa herë që lejon Zotin të rilind për t’ia dhuruar të tjerëve.

24 pyetje e 24 përgjigje

Dita më e bukur? Sot.

Pengesa më e madhe? Frika.

Gjëja me e lehtë? Të gabosh.

Rrënjët e çdo të keqeje? Egoizmi.

Zbavitja më e mirë? Puna.

Humbja më e keqe? Dekurajimi.

Profesionistët më të mirë? Fëmijët.

Nevoja e parë? Komunikimi.

Lumturia më e madhe? Të qenit i vlefshëm për të tjerët.

Misteri më i madh? Vdekja.

Defekti më i keq. Humori i keq.

Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.

Sentimenti më i shëmtuar? Inati.

Dhurata më e bukur? Falja.

Ajo më e domosdoshmja? Familja.

Rruga më e mirë? Rruga e drejtë.

Mirëpritja më e mirë? Buzëqeshja.

Ilaçi më i mirë? Optimizmi.

Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.

Forca më e madhe? Besimi.

Personat më të nevojshëm? Priftërinjtë.

Gjëja më e bukur në botë? Dashuria.

Dërgomë dikë për të dashuruar

Zot kur kam uri

dërgomë dikë që ka nevojë për ushqim

Kur kam një pakënaqësi

dërgomë dikë për ta këshilluar

kur kryqi im bëhet i rëndë

më lë ta ndaj me kryqin e një tjetri

Kur nuk kam kohë

dërgomë dikë që mund ta ndihmoj për pak momente

kur jam i përulur

bëj që të kem dikë për të lavdëruar

kur jam i dekurajuar

dërgomë dikë për ta inkurajuar

kur kam nevojë për t’u kuptuar nga të tjerët

dërgomë dikë që ka nevojë nga e imja

kur kam nevojë që të kujdesen për mua

dërgomë dikë për të cilin mund të kujdesem

kur mendoj vetëm për veten

tërhiq vëmendjen time mbi dikë tjetër.

Na bë të denjë Zot t’i shërbejmë vëllezërve tanë

që në të gjithë botën jetojnë të varfër e të uritur.

Jepi atyre sot duke përdorur duart tona, bukën e tyre të përditshme

Jepi atyre me anë të dashurisë sonë, paqe e gëzim.

Hapi sytë tanë

Hapi sytë tanë o Zot

Për të parë ty tek vëllezërit e motrat tona.

Hapi veshët tanë o Zot

Për të dëgjuar thirrjet e atij qe ka uri, ftohtë, frikë,

që është i shtypur.

Hape zemrën tonë o Zot

Për të mësuar të duan njëri-tjetrin

Ashtu siç na dashuron ti.

Dhuroma përsëri shpirtin tënd o Zot

Për t’u bërë një zemër e vetme, një shpirt i vetëm

nën emrin tënd.

Amin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›