Çfarë shkakton pagjumësia dhe misteret e të fjeturit

Nga të gjitha organet, është truri, dhe veçanërisht korteksi cerebral, ai që pëson më shumë dëmtime, gjatë privimit të gjumit
Karakteristikë specifike e çdo qenieje të gjallë është ndërprerja në një moment të caktuar të çdo lloji veprimtarie apo raport me mjedisin e jashtëm për të kaluar në një gjendje relaksimi e pushimi. Alternimi i periudhave të veprimtarisë me ato të pushimit, nga ana e njeriut, po ashtu nga ana e specieve të tjera, koinçidon saktësisht me alternimin e gjendjes së zgjimit me atë të gjumit.
Ç’është gjumi?
Gjumi është një gjendje pushimi e kundërt nga gjendja e zgjimit aktiv, e cila shoqërohet me mbyllje të syve dhe me muskulaturë të relaksuar. Gjumi është një pjesë përbërëse e jetës, rreth 1/3 e saj. Gjumi është një proces fiziologjik aktiv, i cili përfshin ndërlidhjen e disa komponentëve së sistemit nervor qendror dhe atij autonom. Ndërsa sipas studiuesve Fagioli dhe Salzarulo, gjumi është një gjendje, e cila instaurohet në mënyrë spontane si dhe periodike. Ai veteliminohet në kohë dhe është një gjendje e kthyeshme. Gjatë kësaj gjendjeje, ne jemi komplet të papërgjegjshëm në lidhje me botën, që na rrethon, derisa të zgjohemi, moment në të cilin përvetësojmë rishtazi vetëdijen e braktisur. Gjumi si përkufizim, është një gjendje e kundërt nga vetëdija, pasi kur truri vendos të flejë, ndërpriten kontaktet me realitetin e jashtëm. Vetëdija është forma me e lartë e pasqyrimit të realitetit objektiv. Ajo kuptohet si një gjendje e të kuptuarit psikik e mendor të mjedisit përreth dhe të vetvetes. Kjo veçori mungon gjatë gjendjes së gjumit, sepse ky i fundit është një udhëtim i çuditshëm, i cili bëhet edhe më interesant nga fakti se ndërsa flemë, nuk e dimë se ç’po bëjmë, mungon vetëdija si ndaj kësaj gjendjeje, po ashtu edhe ndaj botës së jashtme. Kjo mungesë vetëdije, e cila është prezente gjatë gjendjes së zgjimit, përbën një nga karakteristikat themelore të gjumit. Karakteristike tjetër dalluese është se gjumi përsëritet në mënyre periodike, domethënë ndodh çdo ditë. Kjo veçori e dallon atë me gjumin e pafund dimëror të disa kafshëve. Gjumi tek njeriu veteliminohet në kohë mbaron me një zgjim spontan, kur ka arritur një kohëzgjatje të caktuar, pa qenë nevoja të ndërhyjmë me stimuj apo faktorë të ndryshëm.
Janë arritur të dallohen dy faza tek gjumi:
* Gjumi Nrem, pa lëvizje të shpejta të syve
* Gjumi Rem, me lëvizje të shpejta të syve
Gjumi Nrem, i quajtur edhe si gjumë i qetë, kalon nëpër 4 nivele.
Niveli i parë i gjumit Nrem ndodh në momentin kur ndan individin nga bota e jashtme. Gjumi i nivelit të parë është i lehtë. Për të zgjuar individin, mjafton vetëm një zhurmë e lehtë, në qoftë se do të provonim të zgjoni në këtë faze, ai do ta mohonte faktin se po flinte. Pas rreth 10 minutash gjumë në nivelin e parë, njeriu kalon në nivelin e dytë e gjumit.
Niveli i dytë, dallohet për faktin se karakterizohet nga 2 lloj valësh tipike të kësaj faze: boshtet e gjumit dhe komplekset-K.
Boshtet e gjumit janë valë shumë të shpejta, si dhe kanë një kohëzgjatje nga 0,5-1 në sekondë. Ndërsa për sa u përket komplekseve K, ato janë të përbërë nga një valë e madhe pozitive e ndjekur menjëherë nga një valë e madhe negative.
Pas rreth 25 minutash, nga fillimi i gjumit, njeriu kalon në nivelin e tretë të gjumit, kjo është dhe faza e parë e gjumit të ngadaltë. Ky nivel dallohet nga prania e llojit të fundit të valëve trunore, të quajture delta. Njeriu relativisht, kalon pak kohë në nivelin e tretë.
Hap pas hapi, valët delta, fillojnë e zënë vendin e valëve theta, kur këto valë bashkë me boshtet e gjumit, dhe komplekset K, fillojnë të bëhen të padukshme dhe valët delta, zënë të gjithë hapësirën, atëherë fillon niveli e katërt, i thënë ndryshe edhe gjumi me valë të ngadalta, mund të konfirmojmë se në këtë moment njeriu gjendet në mes të detit dhe tokës, qe ne e quajmë vetëdije, i zhytur thellë në gjumë, ai mund të zgjohet me shumë vështirësi.
Gjumi Rem, në këtë fazë të gjumit, të karakterizuar nga lëvizjet e shpejta të syve, quhet ndryshe edhe si gjumi aktiv apo paradoksal. Niveli i gjumit Rem, është i shoqëruar nga dy tipa të ndryshëm komponentësh apo dukurish: Komponentët tonikë janë dukuri të cilat shoqërojnë gjithë kohëzgjatjen e fazës Rem, përkatësisht janë:
a) disinkronizimi i EEG
b) humbja e tonusit muskular
c) prania e ritmit theta hipokampal
Komponentët fazikë janë ato dukuri të cilat përsëriten herë pas here gjatë gjumit Rem. Tek këta komponentë bëjnë pjesë:
a) lëvizje të shpejta të syve
b) lëvizja e gjuhës
c) kontraktimi muskular i duarve dhe i këmbëve
d) aktivitet intensiv
Privimi i gjumit, efektet e tij
Çfarë ndodh me organizmin tonë nëse heqim dore nga disa orë gjumë për një kohë relativisht të shkurtër? Moskonsumimi i sasisë së zakonshme të gjumit mund të sjellë edhe pasoja shkatërrimtare. Studimi i modifikimeve të aktivizimit apo i procesit të reagimit ka treguar një lloj zvogëlimi të papritur të vigjilencës dhe të vëmendjes. Kjo zgjat për disa sekonda dhe shoqërohet me një lloj forme përgjumjeje, si dhe me ndërprerjen e reagimeve ndaj ngacmuesve të jashtëm. Shfaqja e këtyre dukurive të quajtura “mikrogjume”, të cilat konsistojnë në periudha të shkurtra gjumi, përbëjnë dhe një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore. Ato zgjasin në raport me kohëzgjatjen e privimit, dhe mund të varen edhe nga faktorë biologjik. Pas një privimi të gjatë gjumi, mund të shfaqen edhe çrregullime që i përkasin aspektit fizik dhe atij psikik. Tashmë dihet sa e fortë është dëshira dhe nevoja për të fjetur dhe sa e vështirë dhe e sikletshme është të qëndrosh në gjendje zgjimi të detyruar, duke u përpjekur të përballosh të mënjanosh me çdo kusht nevojën për gjumë. Kërkesa për frymëmarrje është një nga nevojat e lindura më të forta, pas kësaj renditet ajo për gjumë. Një individ mund të qëndrojë për një kohë të gjatë pa pirë e pa ngrënë, por nuk ekziston dikush, që mund të qëndrojë pa fund zgjuar, pa ndier nevojën për të fjetur në një moment të caktuar. Në mos shpejt, më vonë nevoja për gjumë do të trokasë, pavarësisht nga sforcimet e individit për të qëndruar në gjendje zgjimi, pasi ajo është një kërkesë jetësore. Modeli i privimit të gjumit është një mënyrë e dobishme për të kuptuar se për çfarë gjumi, në këtë mënyrë mund të analizojmë funksionin e gjumit, duke vëzhguar efektet, që shkaktohen tek individët kur privohet nga gjumi që konsumon rregullisht çdo natë nëpërmjet këtij privimi, analizojmë funksionet që mbart ai.
Ajo çka duhet theksuar është se gjumi nuk ka vetëm një funksion që kryen, por disa. Nuk dëmtohet vetëm funksioni psikologjik nga privimi i gjumit, edhe funksioni trupor fillon e ndien efektet e tij. Rezultatet kanë treguar se personat, të cilët nuk kishin fjetur p.sh, rreth 24 orë, dukeshin më të nervozuar, fillonin të reagonin me sjellje agresive. Nëse zgjatet privimi i gjumit tek personat normalë, kjo mund të shkaktojë edhe simptoma delirante, deri edhe halucinacione. Një grua, e cila kishte qëndruar zgjuar rreth 65 orë, filloi të shihte disa akrepa, të cilët sipas saj, i lëviznin mbi dorë.
Disa nga pasojat e privimit të gjumit.
Janë kryer disa eksperimente tek njeriu në këto 30 vitet e fundit për të verifikuar pasojat e privimit tërësor të gjumit mbi qeniet njerëzore. Ato kanë zgjatur me ditë të tëra duke arritur apo duke e kaluar masën e 200 orëve.
Fillimisht nënvizojmë faktin se gjatë netëve të rikuperimit pas një privimi total të gjumit, subjekti i cili lejohet të flinte pa asnjë lloj kufizimi oraresh, rikuperon rreth 1/3 deri 1.4 e gjumit të humbur.
Zakonisht, sa më e gjatë është periudha e privimit të gjumit, aq më i vogël është raporti i sasisë së gjumit të rikuperimit. Nëse duam ta përkthejmë në nivele sasinë e gjumit të rikuperuar do të rikuperohet totalisht sasia e gjumit të nivelit 4 dhe deri 50% e sasisë së gjumit Rem të lëvizjeve të shpejta të syve.
Nga të gjitha organet, është truri dhe veçanërisht korteksi cerebral, ai që pëson më shumë dëmtime, gjatë privimit të gjumit. Një shprehje e vjetër latine thotë për gjumin: “Ai i mbizotëron të gjithë, është zot, të cilit nuk mund t’i rezistojnë as njerëzit dhe as hyjnitë”.