Fortunë te Mbrojtja, ikin njerëzit e Mediut
Gërdeci, shkarkohet kreu i SHIU-t dhe i KFB-së
Topi shkarkon krerët e Komandës së Forcave të Bashkuara, Shpëtim Spahiu e Zija Bahja
TIRANË- Tragjedia e Gërdecit ka “prerë” mbrëmjen e djeshme kokën e radhës, e cila është ajo e kreut të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Kryeministri Berisha, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka nënshkruar dje në mbrëmje shkarkimin e drejtorit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU), nënkolonel Hysni Gjergjit. Atij i është komunikuar menjëherë ky vendim por ende nuk është bërë publik emri i pasardhësit. Ndërkohë që ministri Oketa dhe presidenti Topi kanë shkarkuar dje nga detyra edhe strukturat paralele të ngritura në Ministrinë e Mbrojtjes në kohën e Fatmir Mediut. Dje kanë filluar lëvizjet e para me shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në lirim të dy gjeneralëve të lartë të Forcave të Armatosura. Të gjithë të shkarkuarit e djeshëm janë konsideruar në një farë mënyre fajtorë për tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën më shumë se 25 njerëz si dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.
***
Sipas burimeve zyrtare pranë dikasterit të mbrojtjes thuhet se me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, Presidenti i Republikës njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Bamir Topi paraditen e djeshme ka dekretuar shkarkimin dhe lirimin nga detyra të dy gjeneralëve të Komandës së Forcave të Bashkuara, strukturë kjo e ngritur nga ish-ministri Mediu. “Propozimi për shkarkim është bërë nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, pas përfundimit të analizës së hollësishme për ngjarjen e Gërdecit, ku kompetencë e mbikëqyrjes së kësaj punishte të ngritur nga shoqëria private “Alba Demil” ishte drejtpërdrejtKomanda e Forcave të Bashkuara të drejtuar nga gjeneral major Shpëtim Spahiu dhe gjeneral brigade Zija Bahja. Kjo kompetencë i kishte kaluar kësaj Komande menjëherë pas ngritjes së kësaj strukture me urdhër të posaçëm nga ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu”,-thuhet nga burimet e dikasterit të mbrojtjes. Duke shtuar se nëse dy gjeneralët Spahiu dhe Bahja do të ndërmerrnin masat e nevojshme duke ushtruar me përpikmëri rregullat dhe detyrën tragjedia e Gërdecit mund të ishte evituar. “Gjeneralët Spahiu dhe Bahja kanë shkelur aktet normative në fuqi dhe nuk kanë ushtruar me përpikmëri dhe përgjegjësi detyrat e ngarkuara mbi funksionin që ata kryenin, gjë që solli dhe tragjedinë e Gërdecit”,- thuhet nga burimet zyrtare të dikasterit të ushtrisë.
***
“Këto masa janë marrë në vijim të analizës së thellë të ndërmarrë në Ministrinë e Mbrojtjes për evidentimin e shkaqeve, piketimin e përgjegjësive administrative dhe marrjen e masave për të gjithë ata persona, ushtarakë apo civilë, të cilët, nëse do të kishin ushtruar me përpikmëri dhe përgjegjësi detyrat e ngarkuara nga aktet normative në fuqi, mund dhe duhet të kishin parandaluar ngjarjen tragjike në fshatin Gërdec, të Bashkisë Vorë, më 15 mars 2008”,- thuhet në vendimin e shkarkimit. Sipas burimeve të dikasterit të mbrojtjes, këto shkarkime janë vetëm fillimi i “furtunës” që pritet të bëhet në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi në këtë institucion ka struktura paralele dhe administratë të fryrë. “Do të ketë një ristrukturim të Ministrisë së Mbrojtjes për shumë arsye, jo thjesht për faktin se ajo që ka ndodhur në Gërdec do të shërbejë si një pikënisje për të korrigjuar gjërat që nuk kanë funksionuar, por edhe për arsye të tjera. Kjo pasi është një strukturë pak e fryrë, me dy struktura paralele, në sensin se në Shtabin e Përgjithshëm dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ka persona dhe Drejtori që kryejnë pak a shumë të njëjtat funksione”,- tha dje ministri Oketa.
DEKRETI
TIRANË- Sipas dy dekreteve të Presidentit Topi, dy gjeneralët, Shpëtim Spahiu dhe Zija Bahja, shkarkohen nga detyra dhe nxirren në lirim të parakohshëm. “Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, të nenit 7, pika 8, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, si dhe të nenit 18, të ligjit nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, shkarkohen nga detyra dhe dalin në lirim gjeneral major Shpëtim Spahiu, me detyrë tashmë ish-Komandant i Forcës së Bashkuar dhe gjeneral brigade Zija Bahja, deri dje me detyrë Komandant i Komandës Mbështetëse pranë Forcave të Armatosura”,-thuhet në dekretin e publikuar dje në faqen zyrtare të Presidencës.