E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali: 73 vite burg pengmarrësve shqiptarë të autobusit

 

ITALI- Prokuroria italiane ka kërkuar dje dënimin me 73 vjet burg të tre shtetasve shqiptarë që një vit më parë morrin peng një autobus me pasagjerë me qëllim grabitjen e këtyre të fundit. Ngjarja që tronditi të gjithë Italinë dhe Shqipërinë ndodhi më 15 maj të vitit të kaluar. Tre shqiptarët Rustem Ahmeti, Armand Albrahimi dhe Ali Muka, nën efektin e kokainës, kanë hipur në autobus si pasagjerë të thjeshtë. Në mes të rrugës, në një zonë të pabanuar ata kanë nxjerrë armë dhe granata dore duke kërcënuar se do t’i vrisnin të gjithë nëse nuk do t’iu jepnin paratë dhe sendet me vlerë që kishin me vete. Disa prej pasagjerëve arritën që të njoftonin policinë me telefon dhe menjëherë nisi ndjekja e autobusit. Orë më pas, pengmarrësit u arrestuan teksa po tentonin të iknin pasi i kishin vënë flakën autobusit. Në përfundim të procesit gjyqësor prokuroria e Torinos kërkoi dje dënimin me 26 vjet e 8 muaj për Rustem Ahmetin, 23 vjet e 4 muaj për Armand Albrahimin dhe 23 vjet për Ali Mukën. Të tre të arrestuarit, të cilët po gjykohen me procedurë të përshpejtuar, akuzohen për rrëmbim personi, tentativë vrasjeje, vënie zjarri dhe tentativë grabitjeje. E. Janina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›