Çmimi i naftës, rekorde te reja
Çmimi i naftës po kap majat. Specialistët nuk kanë përjashtuar mundësinë që brenda një periudhe shumë të shkurtër, çmimi i naftës të shënojë nivelin prej 200 $ për fuçi. Sipas tyre, dobësimi i dollarit amerikan, luhatjet e prodhimit dhe spekulimet do të vazhdojnë të kenë ndikime të mëdha në çmimin e naftës. Ndërkaq, dita e sotme ka shënuar një nivel tjetër rritjeje, duke bërë që nafta të arrijë në 124 $ për fuçi. Bursa e Nju Jorkut ka arritur të shënojë nivelin 123.42 $ për fuçi, në një kohë që vetëm për muajt e fundit, statistikat flasin për një rritje më gati 25 %, e ardhur si pasojë e rrezikut për ulje të prodhimit dhe spekulimeve të ndryshme. Por sipas analistëve nuk përjashtohet që shumë shpejt nafta të arrijë në 200 $ për fuçi, duke realizuar edhe rekordin më të madh të të gjitha kohërave. Në një kohë që çmimet pavarësisht luhatjeve të vogla vazhdojnë të shënojnë një rritje të madhe, SHBA-ja ka rritur inventarët 325.6 milionë fuçi. Çmimet e arit të zi, kanë shënuar një rritje më gati 400 % duke filluar që nga viti 2001, një rritje që shumë prej specialistëve të ekonomisë ia dedikojnë prodhimit të luhatshëm, dobësimit të dollarit dhe spekulimeve.