Kukës, tritol shtëpisë së financierit
KUKES – Një sasi eksplozivi shpërtheu mbrëmjen e së shtunës pranë banesës së një financieri në një fshat të Kukësit. Sipas burimeve të policisë shpërthimi ndodhi disa metra larg shtëpisë, duke mos shkaktuar dëme, as në njerëz e as materiale. Nga verifikimi i forcave të policisë së Kukësit, godina ndaj së cilës dyshohet se ishte vendosur lënda plasëse i përket Zaim Çelikut, banor në fshatin Breki të komunës Topojan, 30 km larg qytetit. Me të dëgjuar shpërthimin, vetë familja Çeliku dhe banorët që jetojnë pranë zonës kanë dalë të alarmuar. Ata kanë njoftuar policinë e Kukësit, e cila pasi ka bërë ekspertizën në vendin e ngjarjes, ka konkluduar se shpërthimi ishte kryer rreth 20 metra larg shtëpisë së familjes Çeliku. Për shkak të largësisë, nuk janë shkaktuar dëme. Policia ka marrë në pyetje të zotin e shtëpisë me detyrë financier në komunën Topojan. Çeliku ka pohuar se nuk ka pasur ndonjë konflikt me banorët e zonës apo për shkak të detyrës. Megjithatë, policia ka nisur hetimet e marrjen në pyetje të personave të dyshuar. Ajo ka përqendruar hetimet mbi disa pista, që lidhen që nga detyra që mban Çeliku, te problemet personale dhe ato familjare të tij. Gjatë ditës së djeshme janë marrë në pyetje persona të ndryshëm, kryesisht banorë të fshatit dhe të Komunës, për të nxjerrë të dyshuarit e kësaj ngjarjeje që tronditi zonën.