E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi FIA, Berisha: Shqipëria, ritme kineze urbanizimi

TIRANE - Gjatë fjalës së tij në Forumin e Biznesit FIA kryeministri Berisha rënditi potencialet e Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë ofron mundësi të mëdha. Shefi i qeverisë u ndal tek urbanizimi i vendit, duke i krahasuar ritmet e këtij procesi të ngjashme me ato të Kinës.

“Vij këtu nga një konferencë urbanizimi. Para se të shkoja në atë konferencë u detyrova t’i hedh një vështrim procesit të urbanizimit në planet dhe gjej se në këtë kohë Kina në 20 vite është urbanizuar aq sa Britania në 80 vjet. Shqipëria nga vitet 90 deri në 2011-ën ka ritme kineze urbanizimi, ndër ritmet më të larta-“- u shpreh kryeministri.

Duke nënvizuar se potenciali energjitik mbetet një ndër potencialet më të mëdha të vendit, kryeministri deklaroi se konsideratat për të investuar në këtë fushë janë shumë të mëdha.

“Vendi është vetëm në fillimet e shfrytëzimit të potencialeve të saj të mëdha. Ne kemi një shans të zhvillohemi në mënyrë jeshile dhe të qëndrueshme. Në shqiperi ka një veprimtari të ethshme në fushën e energjisë së rinovueshme. Kemi firmosur kontrata koncesioni për ndërtimin e 320 HEC-eve. Këtë vit po hapen tendera për kaskadën e Devollit, që është një investim prej rreth 1 miliard euro. Janë në treg kaskada e Osumit dhe e Vjosës që është një nga më të mirat e rajonit.”- vijoi më tej Berisha.

Kryeministri e krahasoi vendin me një Norvegji të vogël, përsa u përket burimeve ujore, që siç tha ai, është vendosur përballë tregut më të uritur energjitik në Europë, atij italian. 

Më tej shefi i ekzekutivit theksoi se Shqipëria ofron depozita të mëdha gazi, si dhe ka depozita të pakonsiderueshme kromi, ndërsa përmendi edhe shanset e mëdha që projekti i madh i gazsjellësit TAP të kalojë në vendin tonë.

Sipas kryeministrit, projekti i gazsjellësit dhe hidrokarbureve e vendosin Shqipërinë në fokus të interesit të investitorëve të huaj. Ai nënvizoi se Shqipëria do të bëjë gjithçka për të përfituar nga kjo situatë, ndërsa premton lehtësi për investitorët e huaj nëpërmjet uljes së mëtejshme të taksave. Në këtë mënyrë kryeministri iu përgjigj edhe qëndrimit të opozitës për taksën progresive.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›