E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera-vendorëve: Ndalni punën e fëmijëve

Për këtë arsye, përfaqësues të pushtetit vendor, strukturave rajonale të policisë, drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, shërbimeve sociale dhe shoqërisë civile, u mblodhën në një tryezë të përbashkët në Elbasan.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet, Ministri Spiro Ksera theksoi se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është një objektiv i rëndësishëm i Qeverisë, i shprehur në thellimin e reformës legjislative dhe institucionale, për të krijuar një mjedis mbrojtës dhe gjithëpërfshirës për fëmijët.

“Kjo është një periudhë e rëndësishme në fushën e të drejtave të  fëmijëve, për ndryshimet që po sjell në mendësinë e hartimit të politikave për fëmijët dhe ngritjes së institucioneve që  monitorojnë dhe zbatojnë këto politika”, tha Ksera. Duke u ndalur në përcaktimet ligjore, Ministri Ksera theksoi se Ligji “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës” dhe aktet nënligjore të miratuara pak ditë më parë në Këshillin e Ministrave, përcaktojnë në mënyrë të qartë dhe të plotë angazhimin dhe përgjegjësitë e të gjithë aktorëve në nivel qendror dhe vendor, për garantimin e të drejtave të fëmijëve.

“Qëllimi i këtij takimi është që edhe pushteti vendor të marrë përsipër detyrimet e tij për të ngritur strukturat për fëmijët në këshillin e qarkut, bashki/komunë, sipas përcaktimeve në ligj, pasi zbatimi i të drejtave të fëmijëve është përgjegjësi e të gjithë ne si individë, prindër, familjarë, pjestarë të një shoqërie, por edhe si funksionarë të administratës shtetërore”, deklaroi Ksera. 

Duke iu referuar ngritjes së Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve në bashki dhe komuna, Ministri u shpreh se funksionimi i këtyre strukturave do të sjellë një impakt pozitiv në trajtimin e fëmijëve në nevojë dhe do të ulë përjashtimin social të tyre.

“Prej vitesh jemi duke punuar, por përsëri edhe sot mbetet shqetësimi ynë kryesor, puna e fëmijëve, shfrytëzimi i tyre për përfitime ekonomike. Të gjithë ne që jemi këtu sot, përfaqësojmë strukturat që duhet të jenë në ballë të menaxhimit të kësaj situate. Për herë të parë tani kemi një akt nënligjor i cili përcakton mënyrën e bashkëpunimit dhe përgjegjësinë e të gjithë institucioneve vendore për të menaxhuar rastin e një fëmije në rrezik. Ky akt nënligjor tashmë na jep mundësinë të ndërhyjmë, të marrim në mbrojtje dhe trajtojmë në mënyrë profesionale një fëmijë që shfrytëzohet në rrugë, qoftë edhe nga familjarët e tij. Për këtë arsye theksoj edhe njëherë se ngritja e strukturave për fëmijët në nivel vendor është hapi kryesor për mbrojtjen e tyre, pasi janë këto njësi që janë afër komunitetit dhe kanë mundësinë të identifikojnë fëmijët në rrezik”, iu drejtua Ministri i Punës të zgjedhurve vendorë pjesëmarrës në takim. /Start/

                                                                                             2012-04-18 16:58
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›