E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi "Rinia Aktive" feston Krishtlindjet me grevistët

Forumi "Rinia Aktive" ka zgjedhur ish të përndjekurit politikë për të festuar Krishtlindjet. Ata kanë qëndruar me ish të burgosurit e sistemit komunist, për të ndarë gëzimin dhe hidhërimin e tyre, edhe pse në ditë feste. Kryetari i forumit "Rinia aktive", Dritan Broka, u premtoi grevistëve që këtë çështje do ta shihte me shumë kujdes. Ai tha se përveç pjesës publike, bashkë me forumin e tij, do të dërgonte disa raport -kërkesa, nëpërmjet të cilave do të mundohej të krijonte kontakt të menjëhershëm me institucionet përkatëse të shtetit shqiptar. Madje Broka shtoi se nëse do të jetë e nevojshme, do bëjë të pamundurën të komunikojë edhe me institucionet ndërkombëtare, që aderojnë në vendin tonë. Përveç kësaj, kryetari i forumit shprehu keqardhje për deputetët dhe politikanët shqiptarë. Ai tha se është e turpshme që, edhe pse kanë kaluar 59 ditë grevë urie, nuk ka pasur asnjë reagim prej tyre. Broka theksoi: "Shteti duhet t‘i dëgjojë më nga afër shqetësimet dhe kërkesat e tyre, pse jo edhe t‘i sugjerojë apo t‘u japë atyre ndonjë alternativë konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Kjo heshtje nuk është e mirë". Nga ana tjetër, drejtuesi i grevës tha se kësaj proteste do t‘i shtohen edhe 100 ish të përndjekur, nëse shteti do vazhdojë të mos reagojë. Grevistët kanë hyrë sot në ditën e 60 të protestës. Ata janë të vendosur për të vazhduar grevën e urisë deri kur shteti t‘u ketë ofruar plotësimin e kërkesave që ata paraqesin. Edhe pse deri tani në grevë urie kanë mbetur vetëm tre ish të përndjekur, për shkak se të tjerët janë dërguar në spital, ata nuk dorëzohen. Tre prej grevistëve paraqiten në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa tre të tjerët janë ende në protestë.

Sh.Me

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›