Qeveria, 220 milionë dollarë fitime
Të ardhurat në total për tatimfitimin janë parashikuar në rreth 19.4 miliardë (210 milionë dollarë) vitin 2010, me një rritje prej 10 përqindësh ndaj vitit 2009. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP-ja) të ardhurat pritet të arrijnë në rreth 1.5 për qind. Sipas Ministrisë së Financave, parashikimi për këtë zë është bazuar në parashikimin për rritjen e bazës së tatueshme, si rrjedhojë e ecurisë së PBB-së nominale si dhe të përmirësimeve të pritshme të elementit administrativ. Megjithatë, ministria pranon edhe faktin tjetër, se kriza ekonomike i ka reduktuar në masë të ardhurat nga taksa e tatimfitimit. Të dhënat e fundit nga administrata tatimore tregojnë se nga tatimfitimi qeveria ka humbur rreth 8 milionë dollarë. Po të llogarisim vlerën që i merret biznesit në masën 10 për qind, del se subjektet private kanë rezultuar me 80 milionë dollarë më pak fitime. Taksa pësoi ulje me 10 pikë përqindjeje rreth dy vjet më parë, duke rënduar arkën e shtetit në nivele të konsiderueshme. Tatimfitimi i vilet biznesit në formë paradhënie, procedurë që kundërshtohet nga privati.