E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidat dhe provat që do të kalojë BE në vitin e ardhshëm

Viti që shkoi ishte një vit i vështirë për BE, por ndërkohë të gjithë shohin në të ardhmen. Një nga problemet me të cilat të gjitha vendet do të përballen që në fillim të 2010 do të jetë edhe ai i pasojave të krizës ekonomike, më e rënda e përjetuar që nga viti 1930. Një vëmendje të madhe vendet e Bashkimit Europian do t‘ia kushtojnë edhe zgjedhjeve parlamentare në Britaninë e Madhe në të cilat pritet një fitore e konservatorëve. Por cilido që të jetë rezultati politik City of London që është edhe guri më i çmuar i ekonomisë dhe financave britanike, tashmë i goditur keq nga kriza, do të përballet me një sistem të ashpër kontrolli nga ana e BE-së, si dhe me një konkurrencë të fortë nga Parisi dhe Frankfurti. Ekonomia britanike, që shumë e konsiderojnë si të varur së tepërmi te City do të përpiqet dhe do të luftojë për të dalë nga kriza dhe recesioni në vitin e ardhshëm. Aktualisht, ekonomia britanike ka vuajtur më shumë nga ajo e vendeve të ndryshme të Europës dhe renditet ndër të fundit për sa i përket daljes nga recesioni. Masat që do të merren për rikthimin në situata normale jo vetëm në Britani, por edhe në vende të tjera problematike si Spanja, apo Greqia mund të sjellin edhe revolta sociale dhe konflikte. Gjermania, vendi me ekonominë më të madhe dhe më të zhvilluar në Europë doli nga recesioni në fund të vitit të kaluar dhe ajo do të jetë një shembull që do të ndiqet edhe nga pjesa tjetër e kontinentit. Angela Merkel, Kancelarja gjermane është lëvduar për përdorimin e financimeve shtetërore për vazhdimin e mbajtjes së njerëzve në punë, por problemet nuk kanë të sosur, pasi vitin që vjen pritet reformimi i buxhetit të shtetit. Ndërkaq, BE ka hyrë në Traktatin e Lisbonës dhe presioni do të jetë i madh që Evropa të hyjë serioze dhe me zërin e saj në çështjet ndërkombëtare. Kjo do të testohet në takimet e mëdha të vitit si takimi i ardhshëm i G20 dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ka plane për krijimin e trupave diplomatike të reja në Bruksel, Shërbimit të Jashtëm Europian e organizma të tjera për të nxjerrë nga plogështia organizatën dhe për t‘u dhënë një formë të re punëve dhe vendimmarrjes. Në Francë, Sarkozi do të përballet me zgjedhjet lokale në muajin mars. Socialistët, pavarësisht problemeve të tyre, kontrollojnë 20 nga 22 rajone të Francës, të cilat i morën kur Presidenti Shirak ndodhej në kulmin e mungesës së popullaritetit të tij. Nëse Sarkozi do të dështonte atëherë kohë të vështira parashikohen për Presidentin që ndodhet 2 vjet para zgjedhjeve të ardhshme. Sarkozi është akuzuar edhe për një rigjallërim dhe mbështetje që i ka dhënë i ka dhënë së fundi të djathtës ekstreme përmes ligjeve të reja për shamitë e kokës dhe debatit për identitetin kombëtar. Betejat kulturore të Europës ndaj islamit dhe emigrantëve myslimanë do të jenë sërish në linjën e parë të zgjedhjeve lokale në mars në Holandë. Geert Wilders shpreson që Partia e Lirisë të fitojë. Vijmë tani tek Italia. Edhe Kryeministri i shumëvuajtur italian, Berluskoni, do të përballet me zgjedhjet bashkiake, por testi i tij më i madh do të jetë ekonomia. Në përgjithësi për të gjitha vendet e BE-së viti që vjen do të jetë një vit sfidash të mëdha, të cilat do të vënë në provë shumë personalitete dhe parti, si dhe qëndrime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›