E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi i Medias Berisha-Ramës: Gati për debat televiziv

TIRANE- Arritjet dhe problemet e medias janë diskutuar sot gjatë punimeve të Forumit të Medias, të zhvilluar për rreth 3 orë në ambientet e Hotel "Tirana International" në Tiranë, në kuadër të serisë së veprimtarive për "Sezonin e madh të eventeve" në Shqipëri të organizuar nga Ambasada Italiane.
Kryeministri Berisha ftoi liderin e opozitës Edi Rama në debat publik. Të dy liderët e politikes shqiptare, pjesmarrës në Forumin për Mediat, moderuar nga drejtori i “La Gazzetta del Mezzogiorno, Carlo Bollino, kanë shkëmbyer akuza dhe batuta mes tyre, duke bërë të qartë se duket e largët shpresa për bashkëpunim mes tyre edhe pse ky ka qënë mesazhi që u është drejtuar që në fillim të këtij aktiviteti të rëndësishëm për mediat nga ambasadori italian Saba D’elia dhe gazetari Carlo Bollino.
Duke u ndalur te mediat, Rama tha se liria e medias në Shqipëri është e kërcënuar dhe nën presionin e qeverisë, ndërsa kryeministri garnatoi mbrojtjen e lirisë së medias dhe theksoi se media e pavarur nuk vdes.

Berisha në Forum: Media e pavarur arrin të mbijetojë
Kryeministri Sali Berisha i pranishëm në forumin për Median ka deklaruar se pjesëmarrja e kundërshtarit të tij Edi Rama e ka shtyrë të marrë pjesë, ndërsa ka deklaruar se është i hapur për një debat televiziv me të. Berisha ka falenderuar gazetarët italianë dhe në vecanti drejtorin e “La Gazzeta del Mezzgiorno“ Carlo Bollino, për organizimin e këtij eventi.

“Nuk dua ta fsheh se prania e kundërshtarëve të mij në këtë takim ishte një shtysë për të marrë pjesë, ju garantaj se po të më ftonin për tango nuk do të isha këtu. Përshëndes të gjithë gazetarët shqiptarë dhe italianë, për forumin që realizohet në kuadër të një eventi nga më të rëndësishmit per dy popujt. Media dhe kriza përbëjnë një raport shume të rëndësishëm për shoqërinë e lire” – theksoi Berisha.

Gjatë fjalës së tij Berisha i ka komunikuar Ramës që akuzat politike nuk duhet të jenë pjesë e këtij forumi, por pjesë e një debati televiziv.

"Une mendoj që këto cështje nuk duhen të jenë pjesë e forumeve të tilla. Jam i gatshëm të përballem me ty për cdo cështje, pasi respekti im për opozitën është i palëkundur” – deklaroi Berisha.

Ftesës së Berishës për një debat të hapur televiziv, kreu i PS Edi Rama nuk i është përgjigjur, por nuk ka munguar ndërhyrja e zotit Bollino për të deklaruar se News24 është i hapur për ti pritur të dy liderët në një debat te tille.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha ka deklaruar se mediat e kanë ndjerë më shumë se pushtetet e tjera krizën, por sipas tij ky ishte një apel për mediat që të kthehen drejt përdorimit të gazetarise on line.
“Mediat kanë ndjerë më shumë se pushtetet e tjera pasojat e krizës, por cdo krizë është sfidë, kjo krizë ishte një apel për mediat që të bëjnë një kthim më të rëndësishëm drejt mediave on line. E vërteta është që shoqëria po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga klasikja drejt on lainit. Në misionin e tyre të informimit kanë qënë në të gjitha dimensionet e duhura” – theksoi Berisha.

Krizën në media Berisha e cilësoi si të paprecedentë, si të krijuar nga lakmia e njeriut, por theksoi se mediat kanë luajtur një kontribut real për transparencën e krizës. Berisha ka theksuar gjithashtu se qeveria e tij garanton lirinë e mediave dhe lirinë e informacionit që ato përcojnë.

“Kjo ishte një krizë e paprecedentë. Krizën botërore e krijoi lakmia e papërmbajtur e njeriut. Mediat kanë dhënë dhe japin kontribut të madh në transparencën e krizës, leksione nuk po them se po nxirren por deri tani mediat po bëjnë transparencën. Qeveria ime garanton dhe respekton mediat. I njoh vetes detyrimin e pavarësisë së tyre, pasi janë pushtete të pavarura. Administrata ime ka ndaluar plotësisht cdo padi civile ndaj medias nga shtatori i vitit 2005 deri sot nuk ka asnjë gazetar që të jetë paditur për cështje penale apo civilie nga administrata ime, kjo përbën një arritje të madhe” – deklaroi ndër të tjera Berisha.

Rama: Liria e medias ka bere hapa pas
Gjatë fjalës së tij në Forumin e Medias, kryetari i Partisë Socialiste bëri një pasqyrim të shkurtër të situatës mediatike në Shqipëri duke ju referuar raportit më të fundit të organizatës spanjolle FRIDE.

“Raporti i një organizate joqeveritare FRIDE, thotë se Shqipëria sot ka dalë në krye nga fundi duke kapur treguesit më të këqinj lidhur me lirinë e medias” theksoi Rama.
Kreu socialist përmendi KKRRT-në dhe Televizionin Publik Shqiptar si shembujt kryesorë të politizimit të mediave ndërsa nënvizoi edhe raste të tjera të penalizmit të mediave, sic tha Rama raste të pastra të presionit qeveritar.

“Problemet që prek raporti i FRIDE është e njëjtë me raportin e KE dhe Freedom House. Në raport sillen si raste tipike presioni qeveritar mbi median, rastet e vendosjes së gjobave ndaj Top Media apo News24, apo mbyllja e gazetës Tema” u shpreh kryesocialisti.

“Ne e kemi të domosdoshme të bëjmë një përpjekje të përbashkët.
Të clirojmë gjithcka që në këtë vend ka të drejtë të jetojë pavarësisht nga vullneti i të tjerëve, qoftë një media, gazetë, radio, televizion, qoftë një biznes që është brenda kornizës kushtetuse të Republikës” e mbylli fjalën e tij kreu i opozitës.

D´elia: Takim plot domethënie për median
Në forumin e Medias, i pari që ka marrë fjalën ka qënë Ambasadori italian në Shqipëri Saba D’Elia. Duke e vlerësuar këtë forum si një nga eventet më të rëndësishme të medias, D’Elia falenderoi në mënyrë të vecantë drejtorin e “La Gazeta del Mezigirono“ Carlo Bollino.

Sipas ambasadorit D´elia më shumë se iformacioni nuk ka asgjë tjetër rëndësi në media, ndërsa shtoi se ky forum do të flase për rëndësinë që ka informacioni edhe në kohë krize.

D´elia ka shtuar se ky forum i bashkohet më së miri sezonit të eventeve, të hapur nga Ambasada Italiane “Dy popuj, një det një miqësi”, ndërsa shton se pas pak ditësh një tjetër forum i rëndësishëm do të mbahet në Shqipëri, ai për korridorin e 8-e.

“Le të shpresojmë që ky bashkëpunim të jetë frytdhënës për Shqipërinë edhe në rrugën e saj të integrimit europian” – theksoi Délia.

Nis Forumi i Medias Berisha e Rama të pranishëm
Ka nisur ashtu sic ishte parashikuar ne oren 16:30, Forumi i Medias ku jenë të pranishëm gazetarë italianë dhe shqiptarë që do të diskutojnë mbi arritjet dhe problemet në media.
Forumi do të diskutojë kryesisht mbi median Live në News24 dhe do të moderohet nga gazetari i mirënjohur, Carlo Bollino. Diskutimet do të jenë të përqëndruara mbi problemet dhe arritjet e medias.

Të pranishëm në Forum janë përfaqësues të lartë të politikës dhe medias shqiptare. Mbërrin në Forum Kryeministri Sali Berisha, ndërsa ka mbërritur pak më parë edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës e njëkohësisht i Partisë Socialiste të Shqipërisë, z.Edi Rama.
Të pranishëm janë dhe shumë personalitete të tjera të njohura në arenën politike shqiptare. Forumit nuk i mungon dhe ambasadori italian në Shqipëri, z. Saba D'Elia.

Nga përfaqësuesit e medias janë të pranishëm shumë emra, mes të cilëve drejtori i ANSA, Giulio Anselmi, Kryetari i Federates Kombetare te Gazetareve italiane Angelo Siddi. Te ftuar nga mediat shqiptare jane drejtues te mediave, analiste dhe gazetare. Mes tyre gazetaret Lutfi Dervishi, Remzi Lani, Nikolle Lesi etj.
(e.n/m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›