E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia bllokon kërkimet për varrezën masive të Rudnicës

BEOGRAD- Fati i personave të pagjetur mbetet brengë e vazhdueshme për familjarët, institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi në Kosovë, ndërkohë që Serbia vazhdon të mbetet pengesë për hulumtimin e varrezave të dyshuara masive në territorin e saj, siç është vendi i quajtur Rudnicë afër Rashkës në kufirin Kosovë Serbi, ku dyshohet se janë të varrosur qindra shqiptarë nga lufta e fundit.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj ka thënë se kanë përgjigje nga Serbia vetëm për të hulumtuar në regjionin e Medvegjës, por ende nuk ka përgjigje për regjionin e Rashkës.

Këto komente Gjetaj i bëri gjatë një konference për me media me rastin e hapjes së zyrës së Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, hapja e së cilës është mbështetur nga komuna e Prishtinës.

Kurse koordinatori i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Haki Kasumi ka vlerësuar se hapja e zyrës së këtij këshilli krijon kushte për sukses në drejtim të fatit të personave të pagjetur.

Ndryshe, ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 662 personave dhe përfaqësues të Qeverisë kanë thënë se vazhdon të mbetet prioritet për Komisionin qeveritar dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ndriçimi i fatit të personave të pagjetur.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›