E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi i Ohrit shmang politikën

Në Forumin e 6-të rajonal të vendeve të Evropës Juglindore, që u zhvillua ditët e fundit, në Ohër të Maqedonisë, me pjesëmarrjen e presidentëve të Maqedonisë, Branko Crvenkovski; Shqipërisë, Bamir Topi; Kroacisë, Shtipe Mesiç; Malit të Zi, Filip Vujanoviç, Bullgarisë, Georgi Përvanov, këta të fundit, në fjalimet dhe diskutimet e tyre, më shumë u përqendruan te problemet e zhvillimit ekonomik të rajonit të Ballkanit, që ishte edhe tema qendrore e këtij minisamiti ballkanik, dhe prekën pak ose aspak çështjet e hapura, që ekzistojnë dhe helmojnë marrëdhëniet e ndërsjella mes vendeve të Ballkanit, si p.sh., mosmarrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, marrëdhëniet e këqija mes Kroacisë e Serbisë, që u tensionuan edhe më shumë për shkak të akuzave dhe kundër-akuzave të ndërsjella për gjenocid gjatë kohës së luftës mes tyre, si dhe kryeçështja e rajonit tonë - ajo e pavarësisë së Kosovës, pra e kundërshtimit të saj të fortë nga ana e Serbisë.

Nëse për dy çështjet e para të hapura u fol disi nga pjesëmarrësit, çështja e pavarësisë së Kosovës u prek shkarazi nga të tjerët dhe një nga arsyet ishte mungesa e pjesëmarrjes së presidentëve të Serbisë, Boris Tadiç dhe të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në këtë forum rajonal. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se dihej që më parë se Presidenti serb, Tadiç, nuk do të vinte në Forumin e Ohrit, pasi Beogradi zyrtar, pas njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, ua ka ndalur në përgjithësi përfaqësuesve të tij zyrtarë të kontaktojnë me përfaqësuesit e lartë e të mesëm zyrtarë të këtyre dy vendeve të fundit dhe, kështu, Tadiçi e humbi rastin të bisedonte me partnerët dhe kolegët e vet, me qëllim që, sadopak, t‘i zbuste tensionet në marrëdhëniet me vendet fqinjë të rajonit. Sidoqoftë, presidentët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, Branko Crvenkovski dhe Filip Vujanoviç, shprehën shpresën se Beogradi do të kthjellohej, pasi përmirësimi i marrëdhënieve mes vendeve të tyre do t‘u shërbente edhe popujve të këtyre vendeve dhe si hap të parë që duhet të marrë Beogradi, ata konsideruan pranimin e ambasadorëve të rinj maqedonas dhe malazez në Beograd që, në fakt, në një mënyrë, është paralajmëruar edhe nga Presidenti Tadiç. Lidhur me ardhjen e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, u tha se atij nuk i ishte dërguar ftesë nga ana e mikpritësit të forumit, Presidentit maqedonas Crvenkovski, që të merrte pjesë në Forumin rajonal të Ohrit.

Në Ohër nuk morën pjesë as edhe përfaqësuesit e ftuar të Komisionit Evropian, ndërsa përfaqësuesit më të shumtë në numër, sidomos kësaj here ishin ata të medias, rreth 120, nga të gjitha vendet e rajonit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›