E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi i Trashëgimisë do çojë në Prokurori rastin "Preza"

Forumi i themeluar rreth tri vite më parë në mbrojtje të trashëgimisë shqiptare, ka vendosur të ndjekë në rrugë ligjore rastin "Preza". Artan Lame, një nga anëtarët kryesorë të tij, bën me dije se po përgatitet dosja. Bëhet fjalë për ndërtimin ngjitur me kalanë e Prezës, nga familja e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Instancat shtetërore, që janë të ngarkuara për të mbrojtur trashëgiminë, kanë pohuar se ndërtimi është bërë me leje dhe se zona ngjitur me kalanë nuk është në mbrojtje. Megjithatë, pavarësisht deklaratave, ka shumë pika të kësaj ngjarjeje që mbeten pa u sqaruar. 

"Në emër të Forumit për Trashëgiminë, në emër të të gjithë vullnetit shqiptar për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, në shtator do ta çojmë për hetim të mëtejshëm në prokurori, siç do të çojmë për hetim të mëtejshëm në prokurori, ndërtimin dhe lejet e turpshme të dhëna nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe personalisht nga zoti Apollon Baçe në kalanë e Krujës", tha Lame, duke përmendur edhe "zonën përreth pazarit të Kalasë së Krujës, për shpellën e Spilesë; restorant brenda një nga objekteve më të rëndësishme të prehistorisë shqiptare; lejet e dhëna nga zoti Baçe në Korçë, me atë që ndodhi me Shtëpinë e Flamurit dhe që vazhdojnë akoma". Sipas tij, "për sa kohë kjo zonë nuk është përcaktuar, nuk ka ndonjë firmë ministri për këtë çështje, atëherë çdo veprim brenda, ose pranë monumentit është në kundërshtim me ligjin". 

Ai u ka bërë thirrje edhe punonjësve të Institutit të Monumenteve, "të mos bëhen pjesë e këtij mekanizmi të ndryshimit të letrave, të shtimit të letrave, të bërjes së letrave në ditën e fundit, sepse thjesht do të rëndojnë pozitën e tyre përballë ligjit". 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›