E Diel, 1 Nëntor 2026

Lubonja: Haga, akuzë Haradinajt si vrasës. Qeveria e Kosovës: Skandal

Një shkrim i analistit Fatos Lubonja, publikuar në revistën gjermane "Sudosteuropa Mittelungen", ka shkaktuar polemika të shumta në radhët e politikës kosovare. Në artikullin e tij, Lubonja akuzon kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe UÇK-në për krime lufte. "Akuzat e Hagës ndaj Haradinajt janë të vërteta. 

Në vitet 1998-1999 dhe veçanërisht pas bombardimeve të NATO-s, njerëzit e UÇK-së, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë; se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë, që janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhtarë apo jo mbështetës të saj. Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai apo njerëzit e tij kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë", thotë Lubonja në shkrimin e tij. 

Ditën e djeshme Haradinaj ka reaguar lidhur me këto akuza, duke thënë se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur imazhin e tij dhe të Kosovës. Sipas Haradinajt, akuzat e analistit janë shpifje dhe kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin e Kosovës. Ndërkaq, duke folur në linjë telefonike për televizionin "Klan Kosova", Lubonja ka dhënë sqarimet e tij lidhur me artikullin.

INTERVISTA
A jeni në dijeni për debatin që po zhvillohet në Kosovë rreth shkrimit tuaj?
Jam pjesërisht në dijeni, sepse kam qenë i zënë me punë tjera, jam në dijeni që shkrimi është botuar në "Panorama" fillimisht, por pastaj - siç veprojnë gaze-tarët në përgjithësi - jo vetëm që e marrin pa leje dhe pa kërkuar asnjë të drejtë të autorit, por edhe titujt i vënë si ia ka qejfi e të bëjnë debat si i ka qejfi shqiptarëve. Titulli që kam vënë unë është "Nën qiellin e Europës", ndërsa titulli që kanë vënë autorët, sepse shkrimi është botuar në gjermani në një revistë gjermane me një titull të gjatë, diçka si "Shfajësimi i Haradinajt"... Ndërsa titujt që i vënë shqiptarët, i vënë sipas oreksit, sepse unë nuk jam gazetar investigativ e para e punës dhe unë nuk mund të vë tituj "Ky është vrasës". Unë kam bërë një analizë atje dhe jo një akt të gazetarisë investigative, por është drejtë e secilit që shkruan të kuptojë dhe interpretojë atë si të dojë.
Pra, po thoni se ju kanë keqcituar mediat?
Tani juve po përsëritni të njëjtën gjë që unë thashë, do të thotë që nuk e lexoni me kujdes artikullin dhe kam bindjen që ju as vetë nuk e keni lexuar, sepse gazetarët shumicën e rasteve nuk i lexojnë artikujt. Atëherë, në artikull thuhet shprehimisht që shqetësimi kryesor i artikullit është që si është e mundur që politikanët shqiptarë, intelektualët shqiptarë, bota gazetareske shqiptare pret në mënyrë triumfale një njëri që gjithsesi ka qenë i akuzuar për krime lufte. E pret në mënyrë triumfale ndërkohë që ka bajagi të dhëna, nëse jo për të qenë i bindur, për të pasur dyshime se mjaft nga ato akuza qëndrojnë. Ky është thelbi që kam thënë unë dhe ka të bëjë me dobësinë e gjendjes shqiptarëve, e politikës shqiptare e shoqërisë civile shqiptare për të qëndruar kritikues ndaj të vërtetës. Ajo që unë kam thënë "skizofreni shqiptare" është një skizofreni që ne e kemi vuajtur në kurriz gjatë, prandaj është një skizofreni midis botës virtuale dhe përrallave dhe ëndrrave të një pushteti dhe mjerimi që shkakton ky pushtet. Këtë e kemi provuar në kohën e Enver Hoxhës, ku njerëzit që përdorin mitin e luftës goxha mirë, e mjeruan popullin për 80 vjet. Skizofrenia ka kuptim që të jetosh midis këtij virtualiteti dhe mjerimit real të realitetit dhe për t'u çliruar pra nga kjo, pikërisht duhet të çlirohemi nga të ashtuquajturit mite dhe heronj dhe duhet të shikojmë të vërtetën në sy. Ky është një nga ato që vë në pah artikulli. Sa i përket asaj që quhet shpifje, unë kam cituar dhe nuk kam thënë diçka nga mendja ime. Kam cituar libra që kam lexuar. Veçoj librin e Carla Del Ponte, veçoj edhe librin që u botua nga dy gazetarë italianë për Kosovën, "Kosova midis mafias dhe SHBA-ve", pra kam cituar nuk kam shpifur dhe aty ku është për të hedhur dyshim, hidhet dyshim dhe aty ku thuhet se qëndron diçka që është e vërtetë, thuhet që është e vërtetë. Ka edhe të vërteta dramatike me të cilat Kosova duhet të ballafaqohet mendoj unë, ashtu si edhe shumë shqiptarë që janë të vërtetat e të zhdukurve që s'mund të mohohen dhe për të cilët nuk ka as fajtorë dhe as nuk është vënë gishti diku dhe mendoj që në qoftë se flasim, sepse përmendëm më parë Fulen që ka ardhur në Kosovë dhe në qoftë se flasim për një Kosovë dhe një Shqipëri që bëhet e denjë për të hyrë në popujt me vlera evropiane, atëherë ajo është një Kosovë që nuk mund të jetojë ku në njërën anë flitet për vlera evropiane dhe një tjetër i fryhet urrejtjes ndaj miqve, ndaj fqinjëve ndaj çdokujt që ka mendim të kundërt nga pushtetarët. Pra, kjo lloj shoqërie nuk mund të jetë demokratike. Thelbi i artikullit tim nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, por ka të bëjë edhe me atë se sa mund të ndërtohet një shoqëri demokratike në një vend ku ka aq shumë dhunë, ka aq shumë akuza për vrasje, ka aq shumë dhunë që e prodhon edhe qëndrimi i kundërt që dëshmon kjo, se si kanë reaguar ndaj artikullit tim. 

Tani, unë e përsëris edhe njëherë që nuk mundet kurrsesi që në mes të një lufte, që padyshim ka pjesën e vet të rëndësishme për çlirimin e Kosovës, të krijohen heronj dhe këta heronj të mund të abuzojnë me pushtetin e tyre. Këtë e kemi provuar në kurriz, e përsëris, në kohën e Enver Hoxhës dhe jo vetëm ne, dhe nuk duhet të përsëritet. Shoqëria duhet gjithmonë të mos maskohet me heronj. Fakti është që, përveç akuzave për luftën për të cilat flitet, flitet edhe për dëshmitarë të zhdukur, pra procesi më shumë është mbyllur për shkak të mungesës së provave. Përveç kësaj, fakti është që po të ndjekësh edhe shtypin kosovar, por jo vetëm shtypin kosovar, ka shumë akuza për një klasë politike që po të ishte aq patriote siç pretendon, nuk do të ishte pasuruar në mënyrë megalofante në kurriz të popullit me korrupsion dhe në një situatë që nuk është aspak e denjë. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Haradinaj paralajmëron padi ndaj Fatos Lubonjës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›