Forumi i grave të PPE-së garanton mbështetjen për heqjen e vizave
Mbledhja në Bruksel, Shqipëria përfaqësohet me deputeten Albana Vokshi
Forumi i grave të Partive Popullore Evropiane i mbledhur në Bruksel ka diskutuar për proceset e integrimit të një vendi potencial si Shqipëria, duke specifikuar kryesisht liberalizimin e vizave si një çështje kohe, e cila po shkon drejt miratimit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Përfaqësuesja e Shqipërisë në forumin e grave të PPE-ve dhe njëherazi deputetja Albana Vokshi raportoi pjesëmarrësit për punën me përkushtim të Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të tjera në përmbushjen e të gjitha detyrimeve në procesin e liberalizimit të vizave në të katër blloqet.
Deputetja Vokshi shprehu vullnetin dhe përkushtimin e qeverisë në drejtim të thellimit dhe përmirësimit të të gjitha reformave të ndërmarra në këtë drejtim.
“Ky është një nga momentet më të rëndësishme për shqiptarët, kur ëndrra e tyre për lëvizjen e lirë mund të bëhet realitet”, tha Vokshi, duke kërkuar mbështetjen e të gjithë të pranishmeve jo vetëm të Europarlamentarëve të ftuara në takim, por edhe të gjitha zonjave të tjera të cilat mund të mbështesin këtë proces të rëndësishëm për Shqipërinë në Qeveritë dhe Parlamentet e vendeve anëtare të BE-së.
Presidentja e Forumit të Grave të EPP, në fjalën e saj përveç të tjerave vlerësoi si domethënëse punën e bërë nga Qeveria muajt e fundit për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të vëna për procesin e liberalizimit të vizave.
Ajo theksoi faktin që grupi i Europarlamentarëve (që përfaqësonin grupe të ndryshme në PE), që vizitoi Shqipërinë javën e shkuar, kishin certifikuar që të gjitha kushtet teknike dhe reformat institucionale të kërkuara ishin përmbushur plotësisht nga Shqipëria.
Doris Pack u shpreh se “ju keni bërë çdo gjë që ju është kërkuar, e tani ju duhet të merrni shpërblimin që ju takon për tërë punën e bërë”. Ajo inkurajoi qeverinë shqiptare që të vazhdojë me tej punën e saj, drejt përmbushjes së kritereve. Pack premtoi mbështetje maksimale në Parlamentin Europian dhe i bëri thirrje edhe grave politikane të pranishme në takim që të ndikonin në qeveritë e vendeve të tyre anëtare të BE-se, për të mbështetur Shqipërinë në këtë proces kaq të rëndësishëm.
Më tej, në fjalët e tyre, disa europarlamentare dhe diskutante të tjera vunë në dukje faktin që i vetmi problem për Shqipërinë dhe shqiptarët mbetet opozita që për fat të keq po shkon në një drejtim të gabuar. Nëpërmjet bojkotit, theksuan ato, opozita po i bën dëmin më të madh Shqipërisë, duke dëmtuar imazhin e saj në botë.
...