Kronologjia e një bojkoti të paralajmëruar
Prelud/ Edi Rama është shprehur në mbledhjen e grupit se “Ne do jemi bashkë me ‘popullin opozitar’ në protestë, ndërsa parlamenti do të jetë vendi ku do të kërkojmë të drejtën e transparencës dhe asgjë tjetër, pasi vetëm nëpërmjet transparencës mund të zhbëhet kriza”. Në këtë frazeologji, Edvini shpalosi shartimin flagrant të një proteste rruge për të shtyrë parlamentin të dalë nga korniza kushtetuese. Aq sa në metafizikën edviniane mund të jetë një hapax ekzistencial mungesa e “kutive të rrushit të dijes”. Një raki zgjedhore që ka dehur opozitën këto 6 muaj bojkot parlamentar. Sa për të mbushur pak radhë, mund të bëjmë pak topografinë e një qëndrimi me duar të mbyllura që u materializuan si në një skenë të teatrit absurd, aq mirë u luajt pjesa, aq sa disa talent-scout (gjurmues talentesh) u ngazëllyen me performancën e qendrës së zërit: Namik Dokle.
Kronika e ankthit socialist. Ora 17:10 - Partia Socialiste nuk do ta bojkotojë seancën e sotme parlamentare, por do të marrë pjesë në Kuvend. Opozita shqiptare i rikthehet arsyes duke u futur në odën e demokracisë. Gjithçka është gati për fillimin e “përleshjes” demokratike midis pozitës dhe opozitës, për çdo argument, qoftë edhe për kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Pritshmëria rritet me kalimin e minutave, sekondat kanë shpejtësi skëterrë. Ankthi pritet me thikë, tensioni është sikur të kalonte tensioni i lartë, pra në maksimum. Zemra është një tambur lufte që pritet të fillojë. Emocioni i shtyn nano-sekondat përpara shpejtësisë së diellit.
Ora 17:20 - Para nisjes së seancës parlamentare, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka deklaruar për një tellall informativ 24 orësh, se opozita socialiste do t’i drejtohet parlamentit për një arsye: atë të zgjidhjes së krizës politike dhe institucionale. Mirë fort. Gjithçka duket se po futet në binarët e realitetit, ku konflikti “ngrohet dhe ftohet” në frigoriferin e ligjeve, që duan qetësi dhe gjykim të ftohtë. Parashikimet sinoptike nuk jepnin mesazhe luksi, por ishte diçka për të thënë të vërtetë.
Por në orën 18:10 - Deputeti i Partisë Socialiste Namik Dokle ishte i vetmi që foli në seancën e sotme parlamentare (kuptohet, pasi kishte shkruar dramën e fundin nën hyqmin e muzës letrare sh.p.k “Ngjela&company”), duke lexuar edhe hartimin e mecenatit të tij, Edvin Rama. Pas aktrimit të procesverbalit anti-demokratik, deputetët opozitarë u larguan nga salla me të njëjtën shpejtësi me të cilën hynë. As kafja e kuvendit nuk u pi. Me të vërtetë po konfirmohet teoria se socialistët janë dobiçë, u futën në Kuvend sa për të siguruar rrogat, paçka se kjo lojë infantile qartësoi krejt sesa e (zh)duan këtë vend soc-komunistët e gjeneratës së dytë të Bllokut: duke e bojkotuar përsëri vetëm për destabilizim politik e ekonomik. Natyrisht jashtë çdo udhëzimi të miqve europianë.
Ora 18:11 - Vjen reagimi i parë i ministrit të Jashtëm Meta, duke qartësuar për gazetarët dhe për publikun se opozita nuk do zgjidhjen e situatës, por veç shpëtimin e mandateve të 30 biznesmenëve që ka në grupin e saj parlamentar. Ata nuk do ta japin asnjëherë votën e tyre, as për projektligjin “për Gjykatën Admistrative” (që kërkon konsensusin e 3/5 të votave) dhe as për ndonjë tjetër ligj të rëndësishëm, sepse duan veç të sekuestrojnë parlamentin, duan veç të instalojnë një precedent destabilizues në këtë vend. Në këtë situatë as duhet shpresuar që një ligj me 3/5 të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë.
...