E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët e qeverisë “Berisha” nisën sot matjet për të përshpejtuar rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej”

Ekspertët e qeverisë “Berisha” nisën sot matjet për të përshpejtuar rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej”

Brenda një jave nis asfaltimi i sheshit qëndror të Kryeqytetit

Qeveria “Berisha” nuk ka ndërmend ta tolerojë gjatë situatën e papërballueshme të qarkullimit në Sheshin “Skënderbej” si dhe papërgjegjshmërinë e bashkisë së Tiranës në sjelljen ndaj donacioneve prej 10 milionë dollarësh të qeverisë kuvajtjane, akorduar për këtë qëllim. Pas apelit të kryeministrit Sali Berisha për asfaltimin e sheshit “Skënderbej”, Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit ka nisur punën paraditen e sotme, në sheshin kryesor, specialistët e ministrisë bënë matjet, duke nisur nga puna edhe hartimin e projektit (që mungon nga ana e bashkisë), për rehabilitimin e sheshit.
“Brenda një jave do të mbarojnë matjet dhe do të nisë puna për asfaltimin e sheshit”, u shpreh Skënder çota zëvendës drejtor i Autoritetit Rrugor Shtetëror
“Pas urdhërit të kryeministrit, Ministria e Transporteve ngriti tre grupe pune dhe ne jemi ndarë për të bërë matjet e nevojshme”, tha ai.
Procesi për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, erdhi pas angazhimit personal të kryeministrit, por edhe shqetësimit të vazhdueshëm qytetar për këtë zonë. Për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, bashkia ka pasur në dispozicion mjaft kohe dhe 10 milionë dollarë, dhuratë nga qeveria e Kuvajtit, por siç shihet nga pamjet, qendra e kryeqytetit ishte shëndruar në një gjendje skandaloze, ku as makinat dhe as njerëzit nuk mund të qarkullonin lirshëm.
Ndërkaq, dy ditë më parë, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi që të nisë urgjent rikonstruksioni i sheshit.
“Të shkosh nga xhamia te hotel Tirana të skuqet faqja. Ndaj të nisë menjëherë asfaltimi i sheshit. Nuk ka qendër komune në Shqipëri që të jetë në situatën e qendrës së Tiranës” -theksoi kryeministri Berisha.
Sheshi qendror i shqiptarëve, sheshi i heroit të tyre është në një gjendje katastrofe. “Nuk ka një vend të botës, ju garantoj unë që ti bini planetit nga veriu në jug nga lindja në perëndim nuk gjeni dot një kryeqytet si ku i yni, ku rrugëtimi në shesh është si një horror. Kërkoj me urgjencë planin e asfaltimit” - deklaroi kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›