Interesimi në rritje për pasaportat biometrike, “Aleat” zgjat orarin e aplikimeve

Me kërkesë të Ministrisë së Brendshme, kompania konçensionare “Aleat” do të shtojë orarin dhe ditët e shërbimit për aplikimin e qytetarëve për pasaporta biometrike. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Fatmir Konja, u shpreh sot se zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike në të gjithë vendin do të shërbejnë për qytetarët gjatë ditëve të javës nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes. “Këto zyra do të jenë të hapura në shërbim të qytetarëve edhe ditën e shtunë e të dielë, 27 dhe 28 Mars, e po kështu në datat 3 dhe 4 Prill. Me të njëjtin orar do të shërbejnë edhe zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike pranë komisariateve dhe drejtorive të policisë në qarqe. Në këtë mënyrë synojmë t’i përgjigjemi në mënyrë të veçantë interesimit të pritshëm për të aplikuar dhe për të tërhequr pasaportat biometrike të qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, të cilët mund të vijnë në Shqipëri për festën e Pashkëve”, u shpreh ai. Gjithashtu, Ministria e Brendshme informon se në zyrat e shpërndarjes gjenden rreth 80 mijë pasaporta të pa tërhequra dhe njëherazi duke ftuar qytetarët që kanë aplikuar të paraqiten sa më parë për të tërhequr pasaportat e tyre biometrike. Pasaportat biometrike janë një kusht i domosdoshëm për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave, sipas kritereve të deleguara nga Komisioni Evropian. Shqipëria thuajse ka plotësuar këtë kriter të rëndësishëm, duke tejkaluar 500 mijë aplikimet për biometriket, por ecja përpara të këtij procesi, është një kontribut i vyer dhe njëherazi një përgjigje domethënëse ndaj skeptikëve.
...