Forumi organizohej nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare
Forumi për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme, me temën "Politika e jashtme amerikane, administratë e re, doktrinë e re", është organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AISS) në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesëmarrja në këtë forum ka qenë në nivelet më të larta, ku, përveç ambasadorit Uidhers, merrte pjesë kryeministri Sali Berisha, ministri i Jashtëm Lulzim Basha, kreu i PS-së Edi Rama, përfaqësues të forcave të ndryshme politike, deputetë, diplomatë etj. Të ftuar specialë në këtë forum ishin gjithashtu edhe profesori i Universitetit të Indianës, Bernd Fisher, një njohës shumë i mirë i historisë shqiptare si dhe drejtuesi i Qendrës Strategjike dhe Studimeve Europiane me qendër në Uashington, Janusz Bugajski. Pjesëmarrësit në këtë forum kanë diskutuar për ndryshimet dhe risitë që pritet të përjetojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe politikat e ndjekura prej tyre, pas zgjedhjes së presidentit Barak Obama. Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare ka qenë mjaft aktiv në organizimin e takimeve dhe forumeve të niveleve të larta për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë, si për shembull anëtarësimi në NATO apo në Bashkimin Europian.
27 Janar 2009