E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers, politikës shqiptare: Si duhet ta fitoni besimin e Obamës

Ambasadori i SHBA-ve thekson rëndësinë e respektimit të Kushtetutës dhe luftës ndaj korrupsionit. Uidhers, mesazhe kryeministrit Berisha dhe liderit të PS-së Edi Rama

Shaban Sulçe

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, ka garantuar politikën shqiptare se në rast se do të respektojë Kushtetutën, do të luftojë korrupsionin dhe do të respektojë parimet demokratike, Shqipëria do të fitojë besimin e Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Barak Obama. Këtë qëndrim, ambasadori Uidhers e bëri dje të ditur gjatë konferencës së organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku gjithashtu merrte pjesë kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PS-së, Edi Rama, si dhe ministri i Jashtëm Lulzim Basha. “Presidenti i ri i SHBA-ve, Barak Obama, ka respekt të madh për Kushtetutën, përpjekjet që ripërtërihen për të luftuar korrupsionin dhe respekt absolut ndaj parimeve demokratike. Nëse Shqipëria përparon ndaj këtyre pikave, Shqipëria do të gëzojë besimin e Obamës”, - tha Uidhers.

Marrëdhëniet
Ambasadori Uidhers vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që qeveria shqiptare ka patur me ish-Presidentin amerikan Xhorxh Bush. Ai tha se shpresonte që një marrëdhënie dhe një bashkëpunim i tillë të jetë edhe me Presidentin e ri Barak Obama. Uidhers tha se Barak Obama do të jetë një mik i madh për Shqipërinë.
“Në administratën e Bushit, marrëdhëniet me Shqipërinë arritën majat më të larta. Dhe theksoj se marrëdhënia juaj, zoti kryeministër Sali Berisha, me ish-Presidentin Bush ka luajtur një rol të madh për marrëdhëniet me vendin tuaj. Është e natyrshme që unë të dëshiroj të siguroj se administrata e re e Presidentit Obama do të jetë një mik i madh i SHqipërisë dhe asaj tradite të gjallë si ajo e Presidentit Bush. Ne nuk kemi pikë dyshimi se kjo do të ndodhë”, - vijoi ambasadori Uidhers.
Ai nënvizoi se politikat amerikane në rajon nuk do të ndryshojnë dhe se epoka e re “Obama” do të ketë ndikime pozitive në rajonin e Ballkanit. “Shpresat tona janë optimiste dhe parimet e politikës sonë do të jenë të drejta. Nën drejtimin e Obamës ne parashikojmë se në qendër të rajonit të Ballkanit, ashtu si në Shqipëri, do të vazhdohet të veprohet e të ndihmohet, po kështu edhe për Kosovën siç është bërë gjatë këtyre viteve”, - deklaroi ambasadori Uidhers, i cili garantoi se shumë shpejt Shqipëria do të jetë një aleate dhe anëtare e NATO-s.

Ndryshimi
Ambasadori Uidhers foli edhe për ndryshimin që ka nisur tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjes së Presidentit të ri, Barak Obama. “Do të jetë një erë miqësimi, një erë ndryshimesh në drejtimin e kombit tonë, një erë ndryshimi në drejtimin e politikave tona ekonomike”, - theksoi Uidhers, duke nënvizuar se lufta ndaj korrupsionit në vendin e tij është luftë e pamëshirshme, ndërsa theksoi që qytetarët amerikanë dhe veçanërisht pushtetarët i qëndrojnë besnik Kushtetutës së vendit. Duke folur për krizën ekonomike, Uidhers tha se në kohë krizash Amerika ka vepruar jo vetëm me njerëzit drejtues, por “edhe me ne, me idealet që kemi ndjekur nga paraardhësit tanë”, duke shtuar se Obama është i përkushtuar ndaj ligjit dhe funksionimit të demokracisë.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›