E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi rinor i PD në Shkodër, Topalli: Të rinjtë, uragani i fitores më 23 qershor

SHKODER – Kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli shpërndau kartat e anëtarësisë për të rinjtë e anëtarësuar në Forumin Rinor të Partisë Demokratike në Shkodër. Ndërsa u shpreh e bindur për fitoren e së djathtës më 23 qershor, Topalli theksoi se të rinjtë e Shkodrës do të sigurojnë 8 mandate për PD-në në këtë qark.

“Çdo ambicie e juaja është objektivi ynë. Mos e humbni kurrë ëndrrën. 3088 anëtarë të rinj të PD-së është një ëndërr, është e pabesueshme. Ju bëni ëndrrën realitet, ju bëni të mundur që në Shkodër në 23 qershor nuk do marrim 7 mandate, por 8 mandate, në mënyrë që në mandatin e ardhshëm të PD-së ne të marrim një rezultat spektakolar. Në 23 qershor ne do marrim një rezultat si në ‘92, sepse të rinjtë guxuan ta shpëtojnë Shqipërinë nga gremina e diktaturës. Ju jeni brezi i shpresës, i optimizmit. Ju e dini se Berisha është njeriu që mban fjalën. Ju e dini që Berisha beson më shumë se çdokush tjetër tek ju të rinj e të reja”,- u shpreh Topalli.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se fitoret e PD-së në 2005 dhe 2009-ën janë siguruar nga votat e të rinjve, ndërsa siç tha ajo, qeveria e ka shpërblyer besimin e tyre, me liberalizimin e shkollave, rritjen e numrit të studentëve apo mundësinë për të lëvizur të lirë në vendet e BE-së.

“Unë e di që energjia juaj është uragani i fitores së Partisë Demokratike në 23 qershor”,- përfundoi Topalli.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›