Fostoksinë si karamele, helmohen dy të mitur

Elbasan
Në rrethana të ndryshme, fëmijët, respektivisht 1 dhe 3 vjeç, janë shtyrë nga kurioziteti për tabletat e bardha dhe i kanë futur ato në gojë. Prindërit i kanë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal, e më pas janë përcjellë për në kryeqytet
Marsela Kalaja
ELBASAN - Lënia pa kujdes e pesticideve helmuese e në veçanti e fostoksinës, për pak sa nuk ka shkaktuar dy viktima të mitura në Rrethin e Elbasanit. Dy fëmijë fare të vegjël janë helmuar aksidentalisht në rrethana të ndryshme nga njëri-tjetri dhe kanë rrezikuar jetën. Të miturit janë dërguar fillimisht në spitalin e Elbasanit dhe pasi kanë marrë ndihmën e parë për shkak të gjendjes së rënduar, janë dërguar menjëherë për në Tiranë, për shërbim më të specializuar. Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka pasur informacione të mëtejshme lidhur me situatën e tyre shëndetësore dhe madje mjekët janë rezervuar të thonë nëse fëmijët kanë dalë nga rreziku për jetën apo jo.
Fillimisht ka mbërritur në spital 1-vjeçari me inicialet M. Ll., me banim në Bradashesh. Sipas nënës së tij, fëmija dhe ajo kanë qenë bashkë në dyqanin e tyre ku tregtonin mallra të ndryshëm industrialë dhe pesticide. Në mungesë të vëmendjes, ai ka pasur kuriozitet për një tabletë që i është dukur si karamele dhe e ka futur në gojë. 38-vjeçarja e ka dërguar menjëherë në spital foshnjën e saj. Pasi i është nënshtruar lavazhit me antidote, i mituri është përcjellë për në Tiranë.
Dy orë më pas, një tjetër vogëlush ka mbërritur në spital. F. ç., 3 vjeç, me banim në lagjen nr .17 në Durrës ndodhej te gjyshi i tij, në Hajdaran të komunës Shushicë të Rrethit të Elbasanit. Sipas rrëfimit të gjyshit, mësohet se për të helmuar minjtë që i ishin kthyer në shqetësim, ai kishte hedhur bukë të helmuar poshtë krevatit të tij dhe fëmija duke luajtur, e kishte marrë dhe e kishte futur në gojë për ta ngrënë. Fëmija e ka ndjerë erën e keqe dhe hidhësirën dhe ka nisur të qajë. Pasi ka konstatuar ngjarjen, 60-vjeçari e ka transportuar menjëherë nipin drejt spitalit. Rastet ende konsiderohen si të rënda nga ana e stafeve mjekësore.
Shitja pa kufizim dhe në çdo ambient e lëndëve helmuese që përdoren në bujqësi, apo edhe helmeve që përdoren për minjtë është bërë një problem më vete në Qarkun e Elbasanit. Bluzat e bardha në spitalin rajonal thonë se dy rastet e djeshme të fëmijëve të helmuar aksidentalisht nuk janë të vetmit që janë paraqitur kohët e fundit. Madje, viktima të këtyre lëndëve kanë rënë edhe persona më të rritur, të cilët janë helmuar në rrethana të ndryshme, për shkak të pakujdesisë në përdorimin e tyre.
Krujë
25-vjeçari asfiksohet nga gazi në banesën me qira
KRUJë - Një 25-vjeçar është gjetur i vdekur mbrëmjen e sotme në Borizanë të Krujës. I riu është gjetur i vdekur në banesën ku jetonte me qira. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 17:30, ndërsa dyshohet se është asfiksuar nga gazi.
Dritan Bajrami ishte me origjinë nga fshati Vinjollë i Kurbinit, ndërsa në Borizanë, ku ka gjetur edhe vdekjen, jetonte me qira. Pritet që hetimet e policisë të zbardhin edhe shkaqet e vdekjes.
Patos
Merr flakë kopshti, fëmijët në rrezik
PATOS - Një tragjedi e rëndë është shmangur dje në qytetin e Patosit, kur një grup fëmijësh dhe edukatoret e tyre kanë shpëtuar për mrekulli nga zjarri që përfshiu godinën e kopshtit të tyre. Burimet zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se mesditën e djeshme, rreth orës 15:00, në qytetin e Patosit ka marrë flakë kopshti i fëmijëve. Fëmijët që ndodheshin në kopsht dhe stafi i edukatorëve kanë mundur të dalin jashtë dhe asnjëri prej tyre nuk ka rrezikuar të përfshihet nga flakët. Për të mos përparuar më flakët në kopshtin e Patosit, roja dhe edukatoret kanë lajmëruar menjëherë zjarrfikësit, të cilët kanë mundur të shuanin zjarrin e krijuar në brendësi të godinës. Kopshti kishte një kapacitet prej 150 shtretërish. Zjarri i rënë ka shkaktuar dëme materiale, përfshi këtu edhe shtretërit e katit të parë. Nga të dhënat e para mendohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike, ndërkohë që priten edhe hetime nga policia. Megjithëse hetimet kanë nisur që dje nga policia dhe zjarrfikësit, nuk ka pasur ndonjë informacion më të plotë lidhur me shkaqet që çuan në rënien e zjarrit, i cili rrezikoi jetën e fëmijëve të vegjël dhe edukatoreve të tyre.
Durrës
Shpejtësia,
dy aksidente
me vdekje
Durrës - Dy aksidente të rënda me pasojë vdekjen e dy shtetasve kanë ndodhur në orët e vona të ditës së martë në rrugët e Durrësit. Aksidenti i parë ka ndodhur rreth orës 21:00 në aksin rrugor Spitallë-Shënvlash. Në këtë rrugë janë përplasur dy autovetura që lëviznin në drejtime të ndryshme dhe nga kjo përplasje ka mbetur i vdekur njëri prej drejtuesve të mjeteve. Burimet policore kanë bërë të ditur se ka vdekur Gentian Bardhi, 19 vjeç, banor i Shënvlashit, i cili drejtonte autoveturën e markës “Ford Fiesta” me targa B 34641. Kjo autoveturë është përplasur me mjetin tip “Audi”, me targa BA 368 CE, e cila drejtohej nga 23-vjeçari Rejdi Furxhi, banor i lagjes 16 në Durrës. Burimet policore kanë shtuar se nga ky aksident kanë mbetur të plagosur shtetasit Rejdi Furxhi dhe një shok i tij që ndodhej në autoveturë bashkë me të. Ata janë dërguar në spital, ku kanë marrë mjekimin dhe gjenden jashtë rrezikut për jetën. Pas marrjes së mjekimit, 23-vjeçari Rejdi Furxhi është arrestuar nga policia, pasi akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Po në këtë kohë, rreth 30 min më vonë, në kryqëzimin e rrugës drejt portit dhe Shkozetit te mbikalimi i Urës së Dajlanit, një autoveturë me targa të Vlorës ka humbur kontrollin, duke u përplasur me bordurën anësore. Ka qenë autovetura me targa VL 7764 B e markës “Volksvagen Pasat”, që drejtohej nga Viktor Gjoka, 45 vjeç, nga Vlora. Ai ka qenë i vetëm në makinë dhe ende nuk dihet shkaqet që kanë çuar në humbjen e kontrollit të mjetit nga ana e tij. Nga përplasja 45-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, e cila është konstatuar nga mjekët e urgjencës, në kohën që trupi i tij është çuar në spital.
A. Kalemasi
Gjirokastër
Postblloqe
për grevën e
doganave greke
Gjirokastër - Me qëllim shmangien e konfuzionit dhe radhëve të pritjes në kufi gjatë dy ditëve të zhvillimit të grevës së doganierëve grekë, efektivat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër kanë ngritur postblloqe sinjalizuese përgjatë akseve rrugorë që të çojnë në pikat doganore të qarkut. Postblloqet e ngritura në rrugët kombëtare që lidhin zonat e tjera të vendit me doganat e Kakavijës, Sopikut (Gjirokastër) dhe çarçovës (Përmet), kanë si qëllim të informojnë drejtuesit e automjeteve për bllokimin e punës në dogana përgjatë 48 orëve, duke nisur nga ora 23:00 e së mërkurës. “Duke qenë se pala greke na ka paralajmëruar për këtë grevë dyditore, nëpërmjet postblloqeve të lëvizshme ne po informojmë drejtuesit e mjeteve që nuk janë në dijeni në lidhje me bllokimin e lëvizjes për automjetet në kufirin shqiptaro-grek”, thonë burime në policinë e Gjirokastrës. Greva e doganierëve grekë do të nisë në orën 23:00 të datës 3 shkurt 2010, për të vijuar deri në datën 5 shkurt 2010. Gjatë kësaj kohe doganat greke nuk do të funksionojnë për automjetet, kamionët, autovetuarat apo autobusët por vetëm për këmbësorët.
B. Shehu