E Diel, 1 Nëntor 2026

Helikopterët, Shqipëria zgjodhi modelin më të shtrenjtë

Zbardhen çmimet
 

 
Në faqen zyrtare të kompanisë franceze “Eurocopter”, tipi i helikopterit “Cougar AS 532 AL”, që do të blihet nga Shqipëria, kushton 21 milionë dollarë, ndërsa shumë helikopterë të tjerë që mund të plotësonin nevojat e vendit tonë kushtojnë shumë më pak
 
Leonard Bakillari
TIRANë - Pesë helikopterët që do të blihen nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes janë përzgjedhur nga një prej modeleve më të shtrenjta që prodhon konsorciumi franko-gjerman “Eurocopter”. Në faqen zyrtare të kompanisë që arriti të fitojë tenderin për furnizimin e Shqipërisë me 5 helikopterë në vlerën e 80 milionë eurove, janë zbardhur edhe çmimet për secilin nga modelet që prodhon kjo kompani. Duke qenë se Shqipëria kërkon patjetër helikopterë të modelit “AS Cougar 523 AL”, atëherë do t’i duhet të paguajë më shumë, edhe pse nevojat mund të ishin plotësuar me mjete fluturuese disa herë më të lira, të prodhuar po nga kjo kompani. Ndër helikopterët ushtarakë të listuar në faqen zyrtare të “Eurocopter” rezulton se pjesa më e madhe e tyre kanë çmime shumë më të ulëta se modeli që ka përzgjedhur Shqipëria, për arsye që ende nuk janë bërë publike nga institucionet e shtetit shqiptar. Modeli “AS 565 MB Panther”, një helikopter ky i tipit ushtarak, kushton 18 milionë dollarë, ndërsa në çmime më të ulëta janë helikopterët për transportin e VIP-ave, apo ato që do të përdoren për emergjenca civile, ashtu sikundër është parashikuar në kontratën e lidhur mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë franko-gjermane “Eurocopter”.
Modelet
Për nga çmimi, modeli i helikopterit që ka përzgjedhur Shqipëria është i treti në radhën e mjeteve fluturuese të llojit ushtarak, që prodhohen nga kompania që arriti të fitojë tenderin me dyer të mbyllura. “Cougar AS 532 AL” kushton 21 milionë dollarë,  ndërsa poshtë tij renditen të paktën gjashtë lloje të tjerë helikopterësh, të cilët shiten shumë më lirë, dhe fare mirë mund të plotësojnë nevojat për emergjenca civile apo mjekësore, si dhe për transportin e personave VIP. Ndër helikopterët më të shtrenjtë kompania ka renditur modelin “Tiger Hap” dhe “Tiger Uht”, të cilët janë prodhuar posaçërisht për operacione të mirëfillta ushtarake. Duke iu referuar listës së çmimeve që janë publike në faqen zyrtare të kompanisë “Eurocopter”, rezulton se mundësia e përzgjedhjes së autoriteteve shqiptare është shumë e madhe, duke arritur kështu edhe plotësimin e nevojave për të cilat realisht janë blerë këto mjete fluturuese. Janë të paktën 6 modele helikopterësh që mund të plotësonin me një çmim më të lirë transportin e VIP-ave apo operacionet e kërkim-shpëtimit. Përpara një fakti të tillë mbetet e paqartë se përse Ministria e Mbrojtjes zgjodhi një prej modeleve më të shtrenjta, kur mundësia e blerjes së helikopterëve është kaq e madhe brenda së njëjtës kompani me të cilën ajo tashmë ka lidhur kontratën. Se përse u përzgjodh ky lloj modeli dhe specifikimet teknike që mund të kenë rritur çmimin për copë mbeten ende të pasqaruara publikisht nga autoritetet shqiptare.
Kontrata
Kontrata e miratuar dy ditë më parë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë dhe që është në pritje të ratifikimin nga parlament mund t’i kushtojë më shumë palës shqiptar, pasi zbatimi i saj ka nisur me shkelje. Në nenin nr. 9 të kontratës parashikohet shprehimisht se, “në rast se kjo kontratë nuk do të hyjë në fuqi para 31 dhjetorit të vitit 2009, këto çmime mund të rregullohen sipas ndryshimeve të reja kohore të lëvrimit dhe kushteve financiare përkatëse”. Fakti që kontrata nuk ka hyrë në fuqi, pasi ende nuk është ratifikuar nga parlamenti, u jep të drejtat ligjore francezëve të “Eurocopter” të ndryshojnë termat financiarë të kontratës, e cila parashikon kryerjen e pagesave me këste. Një tjetër çështje e paqartë që është pasqyruar në kontratë, sipas juristëve, është edhe llogaritja e pagesave që është bërë nga pala shqiptare. Në projekt-vendimin e qeverisë është parashikuar që pagesa ndaj kompanisë që do të shesë helikopterët të përfundojë në vitin 2013, ndërsa përllogaritjet e pagesave janë bërë në lekë, pa marrë parasysh faktin se në kontratë thuhet se të gjitha pagesat që do t’i kryhen shitësit të jenë në monedhën euro. Në asnjë nen të kontratës nuk është fiksuar kursi i këmbimit të monedhës euro me monedhën vendase, duke lënë kështu të hapur mundësinë e rritjes ose uljes së vlerës së pagesës, në varësi të luhatjes së kursit.
 
 
Amerikanët u ankuan për tenderin
Tenderi i zhvilluar më 30 tetor të vitit të shkuar, ku është shpallur fitues konsorciumin franko-gjerman “Eurocopter”, ka sjellë reagimin e kompanisë amerikane “Sikorsky International Operations”, e cila është ankuar zyrtarisht për parregullsi në zhvillimin e prokurimit me vlerë 13 miliardë lekë, ose rreth 80 milionë euro. Avokati i Prokurimeve, Agjencia e Prokurimit Publik dhe Ministria e Mbrojtjes kanë qenë disa nga institucionet ku kompania amerikane ka paraqitur zyrtarisht ankesën e detajuar për mënyrën e zhvillimit të prokurimit dhe shpalljes së kompanisë fituese, por përgjigje të arsyetuar ka marrë vetëm nga dikasteri i Mbrojtjes. Dy institucionet e tjera, Avokati i Prokurimeve dhe Agjencia e Prokurimit Publik, nuk kanë pasur kompetencë në hetimin e procedurave të këtij prokurimi, pasi çështja është cilësuar si e rëndësisë së veçantë.
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›