E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, Kuvendi miraton fondin special

 
Fondi do të përmbledhë të gjithë burimet financiare, përfshi paratë që do të vilen nga procesi i legalizimit, nga procesi i privatizimit, si dhe nga dhurimet e ndryshme
 
 
Qeveria mbrojti në Komisionin e Ligjeve dhe të çështjeve Kushtetuese të Kuvendit një projekt ndryshimi në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, që lidhet me një fond për mbledhje burimore të ardhurash, që do të shkojnë për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Projekti i ndryshimit është paraqitur nga Ministria e Financave dhe nga Ministria e Drejtësisë. Komisionerët ligjorë diskutuan mbi pikën që, sipas ndryshimit, u jep të drejtën autoriteteve të krijojnë një fond të posaçëm për të kompensuar ish-pronarët. Ministritë besojnë se me këtë fond do të shtohen shanset për të përshpejtuar procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Për fondin do të hapet një llogari e veçantë, që është parashikuar në ndryshimin ligjor. Mimi Kopani nga financat, tha se “ky fond do të administrohet drejtpërdrejt nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave dhe për këtë do të hapet një llogari në thesarin e shtetit”, se “agjencia do të ketë vazhdimisht shikimin e fondit” dhe se me “ligjin tjetër buxhetor nuk është se fondet e papërdorura rikthehen në buxhetin e shtetit”. Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, deputet i PD-së, Eduard Halimi, kujtoi se fondi do të përmbledhë të gjithë burimet financiare, përfshi paratë që do të vilen nga procesi i legalizimit, nga procesi i privatizimit, si dhe nga dhurimet e ndryshme. Sipas Halimit, fondi nuk do të mbetet vetëm në nivelet (9 milionë euro) që janë të deklaruara nga legalizimet e sipërfaqeve me pronarë. “Duke marrë të gjitha të ardhurat që vijnë nga privatizimi i të gjitha pasurive shtetërore, duke futur në këtë fond të gjitha paratë që do të vijnë nga procesi i legalizimit, jo vetëm 9 milionë euro që janë deklaruar vetëm nga legalizimi i atyre parcelave ku është njohur pronari, por të gjithë fondin e legalizimeve. Ndarja e këtyre fondeve nuk është se do të bëhet me këste, por do të bëhet sipas modaliteteve që do të përcaktohen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, - tha ai. Për ministrin e shkuar të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me këtë ndryshim të diskutuar nga komisionerët ligjorë, ish-pronarët shihen si detyrim dhe jo thjesht si proces kompensues. “Kjo qeveri ka treguar që të paktën në katër vjet ka bërë kompensime financiare mbi 30 miliardë lekë për subjektet e shpronësuara. Por ka qenë gjithmonë mundësi, ka nevojë edhe për vullnet politik, ndërsa tani kalohet në bindje në një detyrim ligjor buxhetor”, - tha Alibeaj për fondin, që qeveria beson të nxisë përshpejtimin e procesit të kompensimit financiar edhe për sipërfaqet pronësore përmbi 200 metra katrorë.
Legalizimi
Ish-pronarët kundërshtuan një ditë më parë përfshirjen në proces të legalizimit të letrave me vlerë, përndryshe bono të privatizimit. Ata kërkuan gjithashtu një ditë më parë, që të shlyheshin prej qeverisë rreth 46 milionë euro të mbetura nga “kësti” paraardhës, referuar një vendimi të vjeshtës së vitit 2008. Myrshit Vorpsi nga shoqata për “Pronësi me Drejtësi”, deklaroi se “i kërkojmë qeverisë shqiptare që urgjentisht të realizojë pagesën e fondit prej 46 milionë eurosh për pronarët e shpronësuar sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe të shfuqizojë dhe të bëjë nul vendimin e Këshillit të Ministrave 610, datë 10.6.2009, “Për administrimin e fondit special të kompensimit të pronave” dhe që “të hiqet dorë nga përdorimi i fondit të kompensimit të pronarëve për shpërblimin e shpronësimeve për efekt legalizimi”, sepse sipas tij, “pagesa e shpronësimit të pronarëve të bëhet nga ALUIZNI”. Sipas ish-pronarëve, ligji ekzistues parashikonte që kjo mënyrë pagese do të përdorej vetëm për sipërfaqe deri në 300 metra katrorë. Por Vorpsi kishte thënë se “këto veprime e ulin akoma më tepër çmimin për metër katror, duke e çuar deri në 100 lekë për metër katrorë” dhe se “duhet të eliminohet përdorimi i letrave me vlerë dhe çmimet të përcaktohen sipas çmimeve të tregut”. Vorpsi foli pasi komisionerët kuvendarë të ekonomi-financës dhe të veprimtarisë prodhuese, tregtisë dhe mjedisit, ku diskutuan projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar”.
 
 
Projektligji
Pagesa deri në 50 për qind e vlerës me letra me vlerë (bono privatizimi), përfshin parcelat ndërtimore që ndodhen jashtë vijës së verdhë dhe në sipërfaqe deri 500 metra katrorë. Ligji i ka të përfshira në pikat a, b, c, c dhe d të nenit 19. Po ashtu, përfshihen edhe për parcelat ndërtimore të vendbanimeve apo ndërtimeve informale brenda vijës së verdhë që kanë sipërfaqe deri 300 metra katrorë, të përcaktuara në pikat a, b dhe c të nenit 20 (ligji bazë). Neni 21 ishte thelb në ndryshim. Sipas këtij neni, shtesa e bërë është paragrafi “Pronari i ndërtimit pa leje që trajtohet sipas shkronjave  “a”, “b” dhe “c” të paragrafit të parë të kësaj pike, mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës të sipërfaqes së zënë më shtesë anësore pa leje në ndërtimet me leje”.
 
 
 
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›