Foto e filmime për dy kirurgët nën akuzë
Prokuroria: Kemi prova dhe filmime të dy kirurgëve të njohur duke marrë para nga pacientët
TIRANË- Task-Forca e prokurorisë së Tiranës zbardh detaje nga hetimi i dy mjekëve kirurgë, Agim Karaj e Ardian Nelaj, të cilët u arrestuan dy javë më parë pas denoncimeve të tre familjarëve për marrje ryshfeti, kundrejt operacioneve. Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, mësohet se prokurori i çështjes, Julian Xhengo, ka arritur me ndihmën e hetuesve të tij të provojë se mjeku kirurg, Ardian Nelaj ka abuzuar duke marrë ryshfet në dy raste, ndërsa kirurgu onkolog, Agim Karaj, në një rast. “Prokuroria e Tiranës, në mes tëmuajit tetor ka regjistruar procedimin penal ndaj shtetasit Ardian Nelaj me detyrë kirurg pranë Qendrës Spitalore të Burgut në kryeqytet. Menjëherë kanë filluar hetimet me metoda speciale si përgjime, fotografim apo edhe filmime, ku është fiksuar në dy raste marrja e rreth 40 mijë lekëve të reja kundrejt shërbimit të kryer. Të dyja këto raste janë provuar me përgjime, pamje filmike dhe fotografi të kryera nga agjentët e vëzhgimit në terren, të cilët për disa ditë e kanë ndjekur mjekun Nelaj”,-mësohet nga burimet e prokurorisë.
Detaje të tjera zbardhen edhe në rastin e kirurgut onkolog, Agim Karaj, i cili tashmë ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. “Për kirurgun Agim Karaj, prej kohësh kishte zëra dhe denoncime nën zë se kundrejt shërbimit që kryente në repartin e Kirurgjisë së Onkologjikut, kërkonte shpërblimin për punën që kryente. Por ka qenë denoncimi i një familjari, i afërmi i të cilit ishte operuar nga doktor Karaj me shumë siguri për vazhdimin e jetës së tij, por pas operacionit, i sëmuri nuk kishte arritur t’i shpëtonte vdekjes, edhe pse Karaj ishte shpërblyer “nën dorë”për punën që kishte kryer. Pas këtij denoncimi është regjistruar procedimi penal dhe kanë filluar hetimet speciale, ku për disa ditë është përgjuar dhe është filmuar episodiku i merr një qytetari 30 mijë lekë të reja”,-thuhet nga akuza, duke shtuar se edhe për doktor Karajn prokuroria ka siguruar prova dhe materiale që vërtetojnë dyshimet se ai ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas akuzës, pas zbardhjes së këtyre të dhënave është kërkuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nga filialet e bankave dhe institucioni i tatimeve për të verifikuar llogari bankare apo pasuri që dy kirurgët e njohur disponojnë, pasuri që më pas mendohet se do të sekuestrohen deri në një vendim të dytë. Kirurgu i spitalit të Burgut, Ardian Nelaj, u arrestua mesditën e 30 tetorit, për t’u liruar dy ditë më vonë nga gjykata, pasi ai pohoi në gjyq se nuk kishte kërkuar para. Ndërsa shefi i Onkologjikut, Agim Karaj, u arrestua pasditen e datës 2 nëntor, vetëm pak orë pasi dyshohet se i ka marrë para një familjari të pacientit që kishte operuar atë pasdite. Togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë në seancën gjyqësore të vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, i ka caktuar dy mjekëve si masë shtrënguese, “arrest shtëpie”, duke mos pranuar kërkesën e prokurorisë për izolimin e tyre në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg”. Mësohet se asnjëri nga mjekët, para togave të zeza nuk kanë pranuar akuzat e ngritura nga prokurori Julian Xhengo, duke i cilësuar katë akuza si shpifje për të denigruar figurën dhe personalitetin e tyre në rrethin shoqëror.