Nënë Tereza, festime ballkanike

Edhe për 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës,
ballkanasit duket se nuk e kanë të lehtë të gjejnë gjuhën e tyre. Por, ndërsa në
Tiranë është miratuar ngritja e një komisioni qeveritar për monumentin e saj; në
Maqedoni po mendohet përmes kundërshtish një program i tërë aktivitetesh.
Nga Milena Selimi
Për Nënë Terezën duket se problemet më të
mëdha po fillojnë pas vdekjes. Tre vende, me të cilat lidhet origjina dhe
vendbanimi i saj i hershëm, tashmë po garojnë për të bërë aktivitete kushtuar
murgeshës shenjtore katolike. Më 26 gusht bëhet 100 vjetori i lindjes së saj
dhe Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë vendosur në start se kush do ta nderojë
më shumë. Në Tiranë është miratuar ngritja e një komisioni qeveritar i kryesuar
nga Nikollë Lesi; ndërsa në Maqedoni Parlamenti dhe Ministria e Kulturës e
Maqedonisë kanë miratuar një program aktivitetesh për festimin e 100-vjetorit
të lindjes së saj. Në këtë të fundit, lëvizja shqiptare Zgjohu , organizata që
mbrojti shtëpinë e saj nga tjetërsimi, ka propozuar një seri aktivitetesh që do
jenë paralel me aktivitetin e organizuar nga shteti maqedon.
Duket, se shpirti i Nënë Terezës do i ndjekë të
gjithë këto përgatitje me thënien e saj lapidar: "Nga gjaku jam shqiptare,
nga shtetësia indiane, nga besimi jam katolike, por për të gjithë ata që
kërkojnë ndihmën time, i përkas gjithë botës", e cila do jetë përgjatë
gjithë vitit në billborde në qytete të ndryshme të Maqedonisë.
Ndërsa, momenti ku do të piqen të gjitha
grupet do jetë një koncert i madh filarmonik me instrumentistë nga Filarmonitë
e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku besohet se soliste do të jetë Inva
Mula, e që pritet të jetë një tjetër aktivitet i madh në kujtim të Nënë
Terezës, ndërkohë që mendohet të realizohet edhe prezantimi i një filmi të
shkurtër dokumentar mbi jetën e saj në të gjitha vendet.
Duhet të kujtojmë se pala maqedonase ka qenë
pak provokative në lidhje me origjinën e shenjtores së madhe, ndërsa Zgjohu, ka
qenë organizata, që i është kundërvënë ashpër. Në këtë kuadër, ajo ka menduar
edhe planifikuar edhe realizimin e një
kënge të lehtë moderne për Nënë Terezën, me kompozim të Virus dhe Elita 5,
dhe të kënduar nga shumë artistë shqiptarë nga Maqedonia, si dhe incizimin e
një spoti modern. Nga ana tjetër, botimi i biografisë në gjuhën maqedonase,
Nëna jonë Terezë, nga autori Don Lush Gjergji, shihet si një element kundërvënie
për tiu kundërvënë pretendimeve mbi origjinën e saj jo shqiptare. Në këtë
kuadër mendohet edhe vendosja e një busti të bamirëses në parkun e Komunës Çair
në qytetin e Shkupit si edhe riemërtimi i parkut "Nëna Terezë".
Por, ndërsa në Shqipëri, projekti ka marrë
miratimin e qeverisë dhe do mbështetet prej tij, nga ana e Maqedonisë ka ende
probleme. Përfaqësuesit e Lëvizjes Zgjohu i janë drejtuar zv/kryeministrit me
origjinë shqiptare Abdylaqim Ademi për të kërkuar përkrahje prej tij. Në parim
ai u pajtua me të gjitha aktivitet tona dhe shprehu gatishmëri për të
mbështetur projektin, por mbetet të qartësohen mbështetjet financiare, ka thënë
zëdhënësi i Zgjohu.
Larg tyre, duhet të kujtojmë një fakt, që është
i pamohueshëm se maqedonët u munduan së fundi që të ndërtojnë një kishë
ortodokse në vendin ku ishte pllaka që identifikonte shtëpinë e saj, ndërsa
Shqipëria e origjinës, e abandonoi për vite me radhë në kohën e socializmit.
m.s/NOA