Gjenerali amerikan, pro dialogut me talebanët
Të gjithë konfliktet është e mundur që të kenë një zgjidhje politike
Shefi i forcës së NATO-s në Afganistan deklaroi se shpresonte që shtimi i trupave në Afganistan do t’i dobësonte talebanët në atë shkallë, sa ata do të mund të pranonin një marrëveshje paqeje. Gjenerali amerikan, Stanley McChrystal deklaroi për gazetën britanike “Financial Times” se tashmë ishte luftuar mjaft dhe se një zgjidhje politike për të gjitha konfliktet ishte e pashmangshme. Liderët afganë dhe pakistanezë ndodhen në Turqi për të diskutuar në lidhje me kundërpërgjigjen ndaj sulmit të talebanëve në vendet e tyre. Ky është takimi i katërt me këtë temë i organizuar deri më tani nga Turqia, që është ofruar si ndërmjetëse mes qeverisë së Afganistanit dhe talebanëve. Si Presidenti i Afganistanit, Karzai, ashtu edhe ai i Pakistanit, Asif Zardari, do të marrin gjithashtu pjesë në konferencën për Afganistanin, që do të zhvillohet në Londër këtë javë. “Do të dëshiroja që të gjithë të dilnim nga Konferenca e Londrës me një zotim të ri, një zotim që do të ishte shumë i drejtë për popullin afgan”, ka deklaruar McCrystal për gazetën britanike. Ai tha se mbërritja në Afganistan e 30 mijë trupave shtesë pas aprovimit të strategjisë së re në Afganistan nga Obama ka sjellë rezultate shumë pozitive në terren dhe në luftime, ndërkohë që 7000 trupa të tjerë janë parashikuar të vijnë shumë shpejt nga vendet e tjera aleate të NATO-s. Megjithatë ai paralajmëroi se niveli i dhunës së talebanëve mund të rritej sërish këtë vit. Ata duan që të krijojnë perceptimin se Afganistani është i tëri në zjarr dhe se kësaj nuk kanë çfarë t’i bëjnë aleatët dhe fqinjët. Sipas tij, nëse strategjia amerikane do të ishte e suksesshme, atëherë brenda një periudhe njëvjeçare talebanët do të gjendshin në një situatë të dëshpëruar, që do t’i nxiste të uleshin në tryezën e bisedimeve. Për sa i përket mundësisë së një opsioni të tillë, McCrystal tha se ai besonte që të gjitha konfliktet kanë një zgjidhje politike dhe se ky ishte edhe fundi i pashmangshëm i tyre. Ndërkaq, në një intervistë për “New York Times”, i dërguari i posaçëm i OKB-së për rajonin bëri thirrje për heqjen nga lista e terroristëve të disa krerëve të talebanëve, për të krijuar situatën e një fillimi të mundshëm bisedimesh. “Nëse jemi në kërkim të rezultateve të kënaqshme, atëherë duhet që të flasim me autoritetet përkatëse dhe mendoj se ka ardhur koha për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me talebanët”, ka deklaruar i dërguari i posaçëm i OKB-së.
#