E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotoja më e mirë MMS, AMC-ja ndan çmimet për vitin 2008



AMC-ja çeli dje, për herë të parë në Shqipëri, ekspozitën e fotografisë së realizuar me aparat celular. Në galerinë FAP, pranë Akademisë së Arteve, u ekspozuan punët më të mira, dalë nga konkursi i përvitshëm AMC i MMS-ve, i cili u fokusua në fotot më të bukura të vitit 2008, të bëra me celular. Konkursi u zhvillua në Facebook, rrjeti social mjaft i njohur dhe masiv kohët e fundit, në bashkëpunim me grupin “Fotografia, pasioni i përjetshëm”. Pjesëmarrësit e shumtë dorëzuan mbi 250 fotografi nga datat 1 deri më 30 nëntor, muaj gjatë të cilit u zhvillua konkursi. Pjesëmarrës kanë qenë të gjithë anëtarët e grupit, të apasionuar pas fotografisë, dhe miqtë e AMC-së në Facebook. Fotot fituese u përzgjodhën nga një juri fotografësh profesionistë, të cilët dhanë edhe vlerësimet individuale për secilën nga fotografitë e paraqitura në konkurs. Juria përzgjodhi 10 fitues, të cilët u nderuan me çmime të veçanta. Të pranishmit u njohën me 10 fotografitë më të mira, si dhe me të gjitha fotot e tjera që u ekspozuan në një mënyrë të veçantë. 10 fotografitë e para u ekspozuan në muret e galerisë, ndërsa 240 fotot e tjera u videoprojektuan. Me çmim të parë u nderua Nesa Llapashtica, me çmim të dytë Isli Islami dhe, me çmim e tretë, Vasjan Golka. Për tri vendet e para kompania AMC-ja dhuroi nga një aparat celular Nokia 6500 Classic, ndërsa për 7 fituesit e tjerë AMC-ja dhuroi deri 2 orë kohë bisede falas për secilin. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për dy ditë me radhë, 20 dhe 21 janar, në galerinë FAP, pranë Akademisë së Arteve.

AMC-ja është aktive në rrjetet sociale më të përhapura, Facebook, YouTube dhe Flickr, ku poston fotografi nga aktivitetet e organizuara prej saj, nga koncertet, konferencat për shtyp, jep informacion për aktivitetet e ardhshme, publikon videoklipe dhe u bashkohet grupeve me interesa të përbashkëta.

Ibrahimi: Kreditimi i SME-ve ripërtërin ekonominë shqiptare

Zëvendësguvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, Fatos Ibrahimi, ka vlerësuar dhënien e kredisë me interesa të butë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme. Bëhet fjalë për fondin prej 30 milionë eurosh që ka dhënë qeveria italiane, që SME-të do të përfitojnë nga "Programi për Zhvillimin i SME-së". Ibrahimi vlerësoi se për ekonomitë e vogla në zhvillim, financimi i sipërmarrjeve të vogla është një mundësi e mirë për të rritur punësimin dhe aktivitetin ekonomik bazuar në iniciativën, idetë dhe aftësitë prodhuese të grupeve të vogla ose të individëve të veçantë që kanë guximin dhe njohuritë për të gjeneruar të mira materiale dhe për të rritur mirëqenien e shoqërisë. Ibrahimi tha se gjatë periudhës së tranzicionit, ndërmarrjet e vogla e të mesme në Shqipëri janë rritur me hapa të shpejtë. Ato kanë qenë një karakteristikë dalluese e të gjithë tranzicionit shqiptar, që u kanë rezistuar vështirësive ekonomike në vend, si ajo e shembjes së firmave piramidale apo vështirësive të tjera të lidhura me reformat dhe procesin e plotësimit të kuadrit institucional e ligjor. “Kontributi i ndërmarrjeve të vogla në rritjen e sektorit të shërbimeve, të ndërtimit, të tregtisë dhe të agrikulturës, ku mikrondërmarrjet përbëjnë pjesën më të madhe të këtij grupi, ka qenë pa dyshim i rëndësishëm në ripërtëritjen afatgjatë e të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare”, - tha Ibrahimi. Sipas tij, dhënia e kredisë me terma të butë është shumë e rëndësishme, për të mbështetur rritjen e financimit për këtë pjesë vitale të ekonomisë dhe do të ndihmojë në zbutjen e efekteve negative të ngadalësimit ekonomik botëror. Ai ftoi sistemin bankar dhe aktorët e tjerë të tregut të ndërmarrin nisma të ngjashme që të mos pengohet financimi i projekteve të vogla, që kanë mundësi të shndërrohen në sipërmarrje fitimprurëse.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›