E Shtunë, 31 Tetor 2026

HEC-et mbi Devoll, qeveria miraton kontratën 1 miliard euro



Kryeministri: Projekti i Devollit, më i madhi i energjisë ujore në Evropë

Tri HEC-et do të kenë prodhim mesatar prej afërsisht 1.000 GWh

Këshilli i Ministrave miratoi dje kontratën e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, si autoritet kontraktues, dhe AVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower si bashkëkoncesionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll. Kryeministri Berisha e konsideroi projektin për ndërtimin e kaskadës së Devollit më të madhin në Evropë në fushën e energjisë hidrike. “Miratojmë kontratën e koncesionit për kaskadën e Devollit, aktualisht projektit më të madh në Evropë në fushën e energjisë elektrike ujore. Ky projekt parashikon ndërtimin e tri hidrocentraleve, përfshirë hidrocentralin e Banjës, në kaskadën e lumit Devoll, sipas një sistemi që bazohet në ndërtimin e 60 kilometrave tunel, në mënyrë që të shmangen pasojat e sedimenteve të shumta që sjell ky lum”, - ka deklaruar dje Kryeministri i vendit.

Projekti, një investim me vlerë rreth 1 miliard euro, siguron një shfrytëzim afatgjatë të ujërave të lumit Devoll, çka përbën, theksoi Kryeministri, edhe epërsinë më të madhe të këtij projekti. “Investimi është rreth 1 miliard euro, por siguron edhe shfrytëzimin më racional dhe afatgjatë që i bëhet këtij burimi të madh ujor për vendin. Në qoftë se digat e kanë jetëgjatësinë me dekada, tunelet e kanë me shekuj. Kjo është edhe epërsia e jashtëzakonshme e këtij projekti”. Duke e shprehur bindjen se ky projekt përbën një arritje madhore të Shqipërisë në fushën energjitike, Kryeministri Berisha e vlerësoi atë jo si një arritje të izoluar në këtë fushë, por një hap në drejtim të realizimit të vizionit të tij, Shqipëria superfuqi e vogël energjitike në Ballkan.

Ky projekt do të mundësojë ndërtimin e tri hidrocentraleve, hidrocentralin Lozhanë-Grabovë me fuqi 173 MW, hidrocentralin “Skënderbegas” Drizë, me fuqi 188 MW dhe hidrocentralin e Banjës me fuqi 28 MW. Sipas drejtuesve të METE-s, kompani si EVN, e cila zotëron kapacitet gjeneruese të energjisë elektrike prej afro 2.000 MW dhe ofron shërbime për mbi 2.5 milionë klientë, garanton tenderin e shpallur nga METE për shfrytëzimin hidroenergjetik të kaskadës së Devollit, përmes një kontrate koncesioni me shtetin shqiptar dhe nuk është rastësi që një kompani si “Statkraft As”, që numëron të paktën rreth 70 hidrocentrale në Norvegji, Suedi, Finlandë dhe është prodhuesi kryesor i energjisë në vendin e saj, angazhohet para autoritetit kontraktues se do të jetë përgjegjëse së bashku me kompaninë EVN në realizimin e këtij projekti madhor.

Kompanitë partnere do të planifikojnë dhe ndërtojnë tri hidrocentrale me rezervuar dhe me prodhim dhe në kohë piku me një kapacitet prej afërsisht 340 MW dhe një prodhim mesatar prej afërsisht 1.000 GWh. I gjithë investimi do të kapë një shifër prej 950 milionë eurosh dhe do të realizohet në një periudhë kohore prej rreth 8 vitesh

Cilat janë firmat kontraktore

EVN-ja është e renditur si je nga kompanitë ndërkombëtare austriake energjitike dhe ekologjike që ofron shërbime, si energji elektrike, gaz, ngrohje, ujë dhe përpunimin e mbeturinave dhe shërbime të ngjashme për 3 milionë konsumatorë në 18 vende të botës. Gjatë viteve të fundit, grupi i EVN-së ka arritur të pozicionohet në industrinë energjitike në Bullgari dhe Maqedoni, duke furnizuar 2.3 milionë konsumatorë. Në shërbimet ekologjike, EVN Group operon me sukses në furnizimin me ujë, trajtimin e mbetjeve dhe përpunimin e mbeturinave. Gjatë vitit financiar 2007/08 EVN-ja ka një total prej 9.342 punonjësish dhe të ardhurat vjetore 2.397.0 milionë euro.

“Statkraf” është prodhuesi më i madh në Evropë për energjinë e rinovueshme. Grupi zhvillon dhe gjeneron energji ujore, energji nga era, energji gazi, ngrohje rajonale dhe është një faktor kryesor në shkëmbimin e energjisë në Evropë. Gjithashtu, “Statkraft” prodhon energji diellore, energji marine, energji ozmotike dhe alternativa të tjera të energjisë inovative. Në vitin 2007, “Statkrafti” ka pasur 2.2 bilionë euro të ardhura bruto. Grupi ka afërsisht 3.000 të punësuar në më shumë se 20 vende.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›