Si e mat suksesin EULEX-i?
Gjyqësia, policia dhe doganat tashmë një muaj janë duke u vëzhguar nga më se 700 pjesëtarë të EULEX-it. Varësisht nga performanca e tyre, do të matet në fund edhe suksesi ose dështimi i institucioneve të sundimit të ligjit, të cilat EULEX ka mandat t'i mbikëqyrë.
Qëndrueshmëria, llogaridhënia, multietniciteti, mosndërhyrja politike, standardet e njohura ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane janë fushat ku kosovarët duhet të japin maksimumin e tyre, në mënyrë që të marrin nota pozitive nga misioni evropian.
"Shembull një institucion, në drejtësi, polici apo dogana vëzhgohet nëse ka rregulloret e duhura, zbaton procedurat dhe politikat e duhura, nëse ka njerëz të trajnuar në mënyrë të duhur dhe të motivuar dhe nëse të gjithë këto mbështeten nga infrastruktura e duhur atëherë ne konsiderojmë se ky institucion është i qëndrueshëm", - shpjegon Steve Smith, zëvendës i Zyrës së Programit Strategjik të EULEX-it.
Për të arritur standardet e kërkuara në të gjitha fushat, EULEX-i do të zbatojë Programin për Monitorim, Udhëzim dhe Këshillim, program ky i bërë publik sot për media.
EULEX-i do të monitorojë ankesat eventuale që mund të vijnë qoftë brenda, qoftë jashtë institucioneve përkatëse. Po ashtu, do të vëzhgohet në detaje zbatimi që institucioni përkatës i bën politikave mbi të cilat vepron.
Qindra pjesëtarë të EULEX-it përmes këshillimit dhe udhëzimit do t'i ndihmojnë zyrtarët kosovarë që të bëjnë përparime në fushat ku ata ngecin.
EULEX-i nuk do të marrë për bazë raportet mbi progresin në Kosovë të përpiluar qoftë nga UNMIK-u, qoftë nga organizatat e tjera ndërkombëtare.
Ndërkohë, ende nuk ka krijuar një pasqyrë të qartë se ku qëndrojnë sot institucionet e sundimit të ligjit kundrejt standardeve të kërkuara.
"Ne kuptojmë se Kosova për nga natyra e saj është shumë dinamike dhe në disa fusha lëviz shumë shpejt, kështu që kemi vendosur që ta bëjmë një vlerësim tonin, që në fillim të shtrirjes sonë. Nuk e injorojmë punën e të tjerëve, por na duhen informata të reja se ku gjendet Kosova tash. Aktualisht po ndërtojmë një pasqyrë me të rejat e fundit të realitetit në terren", - tha Steve Smith.
Allesio Zuccarini, drejtor i Programit Strategjik të EULEX-it thotë se i gjithë monitorimi, udhëzimi e këshillimi do të bëhet në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.
"Ne e dimë se çka duan të arrijnë institucionet e Kosovës, kështu që po ndërtojmë këtë pasqyrë së bashku. Pra, nuk shkojmë rrotull, por u themi të gjithëve se çka do të vëzhgojmë dhe në të njëjtën kohë përgatisim terrenin për vlerësimin që do ta bëjë bashkë me institucionet kosovare", - tha Allesio Zuccarini.
Ajo që EULEX-i dëshiron të arrijë, është që institucionet e sundimit të ligjit t'i lëvizë nga gjendja e tashme në atë të dëshiruar. Zyrtarë evropianë do vlerësojnë përparimin dhe të metat çdo muaj, ndërsa institucioneve do t’u dërgohet raporti përfundimtar çdo 6 muaj.
Nëse kosovarët pajtohen me vërejtjet eventuale, atëherë EULEX-i do propozojë reformat e nevojshme për fushat e caktuara.