Fotot me shoferin e Frrokut, Flamuri padit Tahirin. Deputeti i PS: 5 vetë u vranë në pak orë, ky merret me mua
(E PERDITESUAR)- Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka vendosur që të padisë deputetin socialist Saimir Tahiri, pas publikimit të disa fotove nga ana e këtij të fundit, ku Noka ishte nën shoqërinë e shoferit të Arben Frrokut, të akuzuarit për vrasjen e komisar Dritan Lamaj.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli, ka thënë se Tahiri shpif, duke qenë se asnjë prej të pranishmëve në takim nuk ka pasur lidhje me Frrokun.
Asnjë nga personat e pranishëm në fotot e publikuara nuk ka kurrfarë lidhje me Arben Frokun. Asnjë shpifës nuk do të mund të pengojë zbardhjen e krimit ku humbi jetën komisari Dritan Lamaj. Shpifja është rezultat i panikut që ka përfshirë zotin Rama dhe humbësit e tij përpara zgjedhjeve. Ministri Noka do të paraqesë në gjykatë padi ndaj shpifësit të pandreqshëm Saimir Tahiri, deklaroi Olli.
Pas kësaj padie ka reaguar deputeti socialist, Sajmir Tahiri. Ai thotë se e ka paditur ministri, të cilin i janë vrarë pesë vetë në pak orë.
Nul Moka më paska paditur? Dje u vranë 2 e u plagos 1, sot në 4 orë u vrane 3, u plagos një 15 vjeçar e sapo u grabit me armë një biznes, e ky Nul Moka më padit mua?!
5 të vrarë e 2 të plagosur në 24 orë, dhe ky ka kohë të merret me paditë ndaj meje?
Nuk e ka fajin Nul Moka… Nuk i flitet çirakut para të zotit….
Terror në rrugë, armë, vrasje, plagosje, grabitje, trafiqe, aksidente, vjedhje… kjo është siguria në vendin tonë sot.
Dhe ky vend është më i pasigurtë se kurrë, pikërisht pse qeveriset nga të paaftë, militantë kokëbosh e amatorë, por mbi të gjitha nga njerëz që këtë vend nuk e duan të qetë, nuk e duan të sigurtë, siç nuk duan qytetarë të lirë, të lirë nga varfëria, nga papunësia, nga korrupsioni, nga krimi. Qytetarë të lirë nga pushteti.
Vazhdoni merruni me ne, me padi ndaj deputetëve të opozitës. Ne do merremi me qytetarët, për t’ua bërë jetën më të sigurtë dhe më të mirë, shkruan në FB Tahiri./ep