Fqinjët e vrasësit: E njihnim si djalë të qetë
“Endriti gjithmonë ka qenë një djalë i urtë, punëtor e nuk ngatërrohej me njeri. është e çuditshme se si ndodhi kjo ngjarje”. Kështu thotë një nga fqinjët e 19-vjeçarit Endrit Llambraj, i cili ka mësuar me habi për ngjarjen e rëndë të paradites të së martës në Elbasan. Mësohet se i riu, që prej më se 4 muajsh jetonte me motrën e tij të madhe në Tiranë, pasi kjo e fundit ndjek Shkollën e Magjistraturës. “Mëngjesin e së hënës, pasi ka kaluar fundjavën pranë familjes në Vlorë, ai është rinisur për në Tiranë tek e motra”, pohuan disa të afërm të familjes Llambraj. Banorët e lagjes dhe fqinj të 19-vjeçarit, e tregojnë si një djalë të qetë Endritin. Ai ishte djalë i vetëm i familjes me tre fëmijë, që banojnë në katin e tretë të një pallati pesëkatësh në lagjen “25 maji” të qytetit bregdetar. Fqinjët thonë se babai i Endritit është një njeri punëtor, ndërsa e ëma një amvise e mirë, por pohojnë se nëna e 19-vjeçarit kishte pasur kohët e fundit probleme mendore.
#