E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Lehtësim për shtetasit e Kosovës që hyjnë në Shqipëri

Takimi Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, viziton Tiranën

Shqiptarët e Kosovës që do të hyjnë në territorin e Shqipërisë do të kenë vetëm një kontroll në pikat kufitare. Deklarata është bërë nga ministri i Brendshëm, Luzim Basha, gjatë një takimi me homologun nga Kosova, Bajram Rexhepi. Ministri Basha siguroi homologun kosovar se turistët nga Kosova do të kenë standardet më të larta të sigurisë, si edhe lehtësimin e trafikut të mjeteve motorike. “Ramë dakord që dy forcat policore të aplikojnë, ashtu sikurse është edhe në marrëveshjen e nënshkruar në prani të dy kryeministrave në tetor të vitit 2009 në Prishtinë, kontrollin me një ndalesë, për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga kahu dhe drejtimi për të zvogëluar kohën e pritjes dhe për të lehtësuar në maksimum kalimin e qytetarëve, që gjatë sezonit turistik ka një fluks më të madh”, u shpreh ministri Basha, gjatë konferencës për shtyp pas takimit zyrtar me ministrin Rexhepi.

Ministri Basha garantoi ministrin Rexhepi për mbështetje të plotë me kapacitete tekniko-profesionale në aplikimin me shpejtësi nga Kosova të një regjistri elektronik të shtetasve dhe për prodhimin e dokumenteve të sigurta të identitetit.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Rexhepi, nënvizoi në fjalën e tij, se edhe komisioneri i zgjerimit i Komisionit Europian, z. Fule, udhëzoi që Kosova t’i referohet Shqipërisë për sa i përket regjistrit të gjendjes civile, dokumenteve personale të identitetit, si dhe disa kritereve të tjera që Shqipëria tashmë i ka përmbushur. Ministrat e Brendshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, përkatësisht Lulzim Basha dhe Bajram Rexhepi, në paraqitjen para mediave folën për angazhimin e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e lëndëve narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›