E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekuton në shkollë vajzën që e refuzonte

Historia e dashurisë së njëanshme nisi një vit më parë, kur vajza ishte në ekskursion në Vlorë

Refuzimi konstant i vajzës me të cilën kishte rënë në dashuri ka çuar drejt krimit tronditës 19-vjeçarin vlonjat Endrit Llambraj. Ai ekzekutoi me pistoletë një maturante 20-vjeçare, brenda klasës së saj në gjimnazin “Mahir Domi” të Elbasanit. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 08.45 të mëngjesit të djeshëm, pas orës së parë të mësimit. Sipas burimeve policore, 19-vjeçari Endrit Llambraj nga lagjja “24 Maji” e qytetit të Vlorës, ka vrarë me pistoletë 20-vjeçaren Gerta Bahja, banuese në lagjen “Haxhias” të qytetit të Elbasanit. Sipas policisë, i riu vlonjat e kishte planifikuar vrasjen një ditë më parë, por mungesa e vajzës në shkollë ditën e hënë e ka “detyruar” ta shtyjë planin. Ngjarja në fjalë ka shokuar dje rreth 500 nxënës të shkollës së mesme të përgjithshme “Mahir Domi” të qytetit të Elbasanit. I riu nga Vlora, pasi ka terrorizuar nxënësit e vitit të katërt të kësaj shkolle, ka qëlluar tri herë me armë në drejtim të 20-vjeçares Gerta Bahja, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, për t’i shpëtuar arrestimit ai është vetëvrarë me të njëjtën pistoletë që kreu krimin.

Ngjarja

Gjithçka ka ndodhur brenda një harku kohor prej 15 minutash. Në pushimin mes orëve, 19-vjeçari vlonjat ka hyrë në klasë sapo ka mbaruar ora e parë e mësimit dhe pasi ka qëlluar me pistoletë në tavanin e klasës dhe ka nxjerrë të gjithë nxënësit jashtë, e ka detyruar 20-vjeçaren të mos lëvizë. Më pas ka qëlluar mbi të tri herë me pistoletë dhe është larguar me shpejtësi drejt parkut “Rinia”, rreth 200 metra larg godinës shkollore ku kishte kryer edhe krimin. Policia është gjendur shpejt në vendngjarje, ku ka nisur të ndjekë vrasësin dhe ka mundur ta rrethojë atë në mjediset e parkut. Në këto momente, i riu vlonjat, për të mos rënë në prangat e policisë, është vetëvrarë me një plumb në kokë, me të njëjtën pistoletë që kishte vrarë para pak minutash edhe maturanten.

Historia

Historia ka nisur rreth një vit më parë, kur klasa e viktimës ka qenë për ekskursion në qytetin e Vlorës. 19-vjeçari vlonjat ka pikasur 20-vjeçaren dhe ka mundur të sigurojë numrin e celularit të saj nëpërmjet shokëve të klasës. Shpesh ai i telefononte vajzës nga Elbasani, duke i kërkuar takim, por vajza nuk ka pranuar duke i thënë se ishte e fejuar. 20-vjeçarja prej disa vitesh ishte fejuar me një djalë nga qyteti i saj i lindjes, i cili prej 1 viti e gjysmë jetonte dhe punonte si emigrant në Itali. Shoqet e viktimës treguan dje se 19-vjeçari nga Vlora i ka bërë shpesh presion vajzës se do të martohej në çdo mënyrë me të. Madje Llambraj, dy herë ka trokitur në shtëpinë e saj, por prindërit e të ndjerës i kanë pohuar se vajza ishte e fejuar. Mësohet se edhe të hënën i riu vlonjat është parë në mjediset e shkollës, por vajza ka munguar në mësim atë ditë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›