Boris Trajkovskin e kanë vrarë
Të paktën kështu pretendon në mënyrë kategorike deputeti zviceran i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Andres Gros, i cili po përgatit një raport të hollësishëm për aksidentin ajror, në të cilin gjeti vdekjen ish-presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski, dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt më 26 shkurt të vitit 2004. Në sesionin e fundit të Asamblesë së lartpërmendur të KE-së, Grosi vuri në dukje se rënia e aeroplanit qeveritar maqedonas nuk ishte aksident fatkeq, por një vrasje e qëllimshme dhe se ai disponon fakte, të cilët do t’ia paraqesë publikut në një të ardhme të afërt. “Jam i bindur se fjala është për vrasje dhe këtë e mbështes te disa informacione të reja që, tani për tani, nuk mund t’i publikoj. Kjo konsideratë e imja personale mbështetet edhe te fakti i njohjes së disa kontradiktave të pazakonta që logjikisht të çojnë te hipoteza e vrasjes”, theksoi midis të tjerave, europarlamentari europian në një intervistë që i dha ditët e fundit stacionit gjerman “Dojçe Vele”, ndërsa bëri të ditur se ai do të vizitonte së shpejti Maqedoninë, ku do të bisedonte me disa njerëz që kanë gjetur informacione të reja, për mënyrën sesi ata do t’i bëhen të ditura popullit maqedonas. Grosi nuk zbuloi se cilët janë ata njerëz që i vazhdojnë hetimet për vdekjen e ish-presidentit maqedonas Trajkovski, me qëllim që ndaj tyre të mos ushtrohet presion. “Nuk mund t’ua them, pasi është ende herët, sepse, në të kundërt, ndaj këtyre njerëzve do të nisin menjëherë presionet, por, sidoqoftë, në Maqedoni ka njerëz që janë të mirinformuar e të afërt me burimet përkatëse dhe të cilët do të vendosin se kur faktet do t’i paraqiten publikut maqedonas”, vuri në dukje Grosi, duke nënvizuar se përgjigjet për pyetjet lidhur me rënien e aeroplanit që transportonte ish-presidentin e ndjerë maqedonas për në një konferencë ndërkombëtare të Mostar të B-H-së, duhet të kërkohen në Perëndim dhe jo në Lindje. Në intervistën e tij, Grosi gjithashtu zbuloi se para vajtjes së tij në Maqedoni e ndiente veten të kërcënuar. “Duhet ta pranoj se, ndërsa po afrohet dita e vajtjes sime në Maqedoni, e ndiej veten të kërcënuar. Jam i lumtur që tani nuk i jap më makinës. Por, sidoqoftë, asnjëherë nuk mund të jemi plotësisht të sigurt, ndërkohë që gjërat, në fakt, nuk duhet të dramatizohen, por as të nënvlerësohen. Fakti që unë flas hapur për këtë çështje, është mënyra më e mirë për mbrojtjen e vetes sime”, tha ai. Europarlamentari zviceran ka marrë mandat nga Asambleja Parlamentare e KE-së deri në qershor të këtij viti, por, nëse nuk arrin t’i mbledhë të gjitha provat, ai, sikurse bëri të ditur në intervistën e tij, do të kërkojë zgjatjen e mandatit.
#