E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX bën gati hetimet për qeveritarët e LDK dhe AAK

Mediat e Prishtinës transmetojnë qëndrimin e ndërkombëtarëve

Policë të EULEX-it priten të shihen pas pak kohe edhe në dyert e ministrive të tjera të qeverisë. Mediat e Prishtinës bëjnë të ditur se EULEX-i do të hetojë edhe gjashtë ministra ose ish-ministra, nga dy prej tri partive kryesore të vendit, PDK, LDK dhe AAK, për keqpërdorime që janë bërë në periudha të ndryshme. Tenderët e shkollave në dy vitet e fundit do të dërgojnë hetuesit në Ministrinë e Arsimit. Arsyet pse EULEX-i do të mësyjë dyert Ministrisë së Shëndetësisë, janë disa miliona euro që i janë dhënë një firme, pa u kryer të gjitha procedurat ligjore, gjë kjo që u bë gjatë kohës së menaxhimit para riformatizimit të qeverisë Thaçi. Nuk do të kursehet as Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. çështjet që kanë të bëjnë me naftën, cilësinë e saj dhe licencat e shitjes, do të jenë interes i investiguesve. Në të do të hetohet edhe për kohën e qeverisjes nga koalicioni AAK-LDK, por edhe nga ky i tashmi, PDK-LDK. Auditivi i buxhetit do të jetë arsyeja pse do të ekzaminohet Ministria e Ambientit, për periudhën kur në pushtet ishte koalicioni LDK-AAK. As ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk do të anashkalohet, ndonëse fokusi i hetimeve këtu është jashtë fushës që mbulon ky dikaster. EULEX-i ka vënë nën llupë edhe një ish-ministër serb, që pati qëndruar në qeveri para pesë-gjashtë vjetësh, ndërsa nuk dihet si do të procedohet me hetimet ndaj tre personave nga veriu i Kosovës.

Kryeprokurori i EULEX-it, Johannes-Van-Vreeswijk, ka thënë ditë më parë se EULEX-i nuk do t’i kufizojë hetimet për korrupsion vetëm në Ministrinë e Transportit. Ai ka bërë me dije se objekt i hetimeve nuk janë vetëm ministritë që udhëhiqen nga PDK-ja.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›