Franc Konomi investoi para me fajde
Hetimet e policisë zbulojnë investimin e një shume të majme parash të fituara nga puna jashtë vendit
TIRANE- Një pjesë të të ardhurave të punës së tij të mbledhura nga puna e tij në Gjermani, i ka investuar në disa biznese të ndryshme në Shqipëri, me qëllim shtimin e fitimeve, nëpërmjet investimit indirekt të tyre.
Një fakt i tillë u bë i ditur nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilët pohuan se këto sasi parash janë investuar në formën e borxhit me qëllim që më vonë ndaj tyre të përfitohej një përqindje e caktuar interesi në bazë të një deklarimi të dhënë mes palëve.
Ende nuk dihet shuma e investuar në formën e parasë së dhënë me interes (fajde), nga Konomi tek persona të tretë, por burime të policisë konfirmuan se bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme. Burimet pohuan se Franc Konomi, i vrarë javën e kaluar, i njohur mjaft mirë nga policia, kishte investuar në dy vitet e fundit shumat e majme të parave të fituara nga puna e tij në Gjermani.
Një fakt i tillë po merret në konsideratë nga hetuesit, me qëllim zbulimin e fakteve që mund të çojnë policinë në rrjedhën e duhur, sa i përket rrethanave dhe motiveve të mundshme të krimit të javës së kaluar ndaj Konomit.
Gjithsesi nga verifikimet e para të kryera nga agjentët dhe hetuesit e zyrës së vrasjeve, nuk është gjetur ndonjë konflikt apo ndonjë përplasje që mund të shkaktonte konflikte të tilla të ashpra, që mund të sillnin një vrasje me karakter mafioz. Në këtë mënyrë hetuesit kanë mbetur në pistën vrasjes së Konomit, e ardhur si pasojë e një përfshirjeje të mundshme të tij në një linjë të trafikut të drogës.
Prishja e pazareve apo marrëveshjeve përkatëse, mund të ketë shkaktuar zemërimin e ortakëve dhe bashkëpunëtorëve duke sjellë edhe një mosmarrëveshje të pazgjidhshme. Vetë pjesëtarë të familjes së Konomit, miq dhe të afërm të tij, kanë mohuar gjatë marrjes së tyre në pyetje që Franci të ketë pasur konflikte apo përplasje me persona të caktuar.
Vetë specialistë të hetimit të vrasjeve në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit, pohuan për "Shekullin" se në një farë mënyrë viktima, kishte marrë një rrugë të drejtë pas vuajtjes së dënimit për krimin e gjobëvënies ndaj një bizenesmeni shqiptaro- maqedonas në vitin 2003.