E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengmarrësit i presin gishtin profesorit të kitares

Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimin për katër të akuzuarit e rrëmbimit të mësuesit të Liceut Artistik


Autorët kërkonin nga i dëmtuari 5 mijë euro të paguara për dy viza shengen, pas premtimit të pambajtur


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, mbylli hetimet dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të pesë të pandehurve që rrëmbyen, mbajtën peng për dytë ditë në banjo dhe e torturuan duke ia prerë edhe gishtin mësuesit të kitares në liceun artistikë "Jordan Misja".


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët saktësuan se prokurorit Behar Dibra iu deshën rreth 7 muaj kohë për ta zbardhur ngjarjen. Sipas kërkesës për gjykim që "Shekulli" ka siguruar një kopje, mësohet se të pandehurit: Ilir Trini, Joan e Aleksandër Buli dhe Drini Lato në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprën penale të "rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit".


Ndërsa i pandehuri Andi Bulku me veprimet dhe mos veprimet e tija, ka konsumuar vetëm veprën penale të "moskallëzim krimit" pasi i ka shoqëruar me taksinë e tij 4 të pandehurit, duke pasur dijeni kështu për rrëmbimin dhe torturat ndaj viktimës me inicialet E.E. "Nga hetimet disa mujore, ka rezultuar se viktima E.E. kishte njohje prej kohësh me të pandehurin Ilir Trini që kishte në pronësi një lokal pranë Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë.


Në këtë lokal mblidheshin edhe shokët e "pronarit" të lokalit, Drini Lato, Alkesandër Buli e Andi Bulku që më pas janë njohur edhe me viktimën E.E."-thuhet në dosje. Shoqëria mes tyre ka vazhduar deri në nëntor të 2009 kur i pandehuri Lato ka shprehur dëshirën për të ikur jashtë shtetit me ndonjë vizë, të cilën ia ka premtuar mësuesi i kitarës në liceun artistik.


Për nxjerrjen e kësaj vize i dëmtuari E.E. i kërkoi të pandehurit Lato 2500 euro për një vizë, por, si paradhënie i pandehuri Trini ia paguan 1000 euro mësuesit të kitarës për të pandehurin Laton, të cilëve i premton që brenda një muaji do e merrnin vizën.


Në ditët në vazhdim, i pandehuri Bulku e prezanton të dëmtuarin E.E. edhe me shtetasin me iniciale K.B. i cili i paguan mësuesit të kitarës 1500 euro për nxjerrjen e vizës. Pasi merr edhe këtë shumën e parave mësuesi i kitarës i shmanget të pandehurve, duke mos shkuar në lokal dhe duke mos iu përgjigjur thirrjeve telefonike. Aty nga fundi i nëntorit të pandehurit e kuptojnë se E.E. po i mashtronte dhe Trini lidhet me telefon duke ia kërkuar t'i kthente lekët se nuk e donin vizën.


Në ditët në vazhdim, E.E. duke mos pas shumën e parave për t'ia kthyer ndihet i frikësuar dhe ndërron edhe banesën duke u fshehur në një shtëpi në rrugën "Bardhyl". Mesditën e 10 dhjetorit 2009 në lagjen "Tirana e Re" i pandehuri A.Buli e takon rastësisht E.E. në rrugë të cilët me anë të shtrëngimit dhe më pas kërcënimit me armë nga i pandehuri J.Buli (punonjës policie) e dërgojnë në lokalin e Trinit. Aty mblidhen dy vëllezërit Buli, pronari i lokalit Trini dhe shokët Lato e Bulku.


Përveç këtij të fundit të pandehurit e tjerë ushtrojnë dhunë fizike ndaj E.E. duke goditur me sende të forta dhe më pas ia presin gishtin e dorës së djathtë me pinca pasi nuk kishte t'ia kthente 5000 eurot e kërkuara.


Ndërkohë, E.E. ia kishte marrë vetëm 2500 euro, të pandehurit i kërkonin edhe 2500 të tjera plus përveç atyre që ia kishin dhënë. Për dy ditët në vazhdim, E.E. mbahet i mbyllur në banjon e lokalit dhe ndaj tij ushtrohet dhunë e rëndë fizike.


Në këtë kohë të pandehurit kontaktojnë me prindërit e E.E. dhe motrën e tij duke ia kërkuar lekët për ndryshe nuk do e lironin mësuesin e kitarës. Pas dy ditëve, babai i E.E. në pamundësi për t'ia paguar borxhin kallëzon në polici të pandehurit dhe më pas të pesë të pandehurit arrestohen.


Pas arrestimit, i pandehuri Trini dhe J.Buli izolohen me masat e sigurisë "arrest me burg", të pandehurit A.Buli dhe D.Lato me masën e sigurisë "Arrest shtëpie" dhe i pandehuri Bulku me masën e sigurisë "Detyrim për paraqitje".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›